Gjiganti japonez i automobilëve, “Mitsubishi”, ka pranuar se ka falsifikuar të dhënat e testeve që masin konsumin e naftës në mbi 600 mijë automjete, duke mos respektuar ligjet e shtetit japonez. Manipulimi prek 625 mijë mjete të prodhuara nga mesi i vitit 2013, përfshirë këtu edhe 468 makina të prodhuara në bashkëpunim me “Nissan”.
Presidenti i kompanisë, Tetsuro Aikawa, kërkoi ndjesë, gjatë një konference për shtyp. Menjëherë pas lajmit, shitjet e kësaj korporate kanë pësuar rënie prej 15 %, duke shkaktuar një humbje prej 1.2 miliard dollarësh, ndërkohë që vetëm vitin e shkuar kjo kompani ka shitur mbi 1 milion automjete.
Parregullsitë u zbuluan kur specialistët e kompanisë “Nissan” dalluan mospërputhje të të dhënave dhe më pas “Mitsubishi” kreu një hetim të brendshëm, ku u kuptua tjetërsimi.
Për momentin kompania ka bllokuar prodhimin e automjeteve deri kur hetimi të kryhet i plotë.