Avokati i Emiljano Shullazit kërkon lirimin e klientit të tij, pasi në akuzat e Prokurorisë, sipas tij, nuk ka asnjë provë që e implikojnë për kërcënim dhe marrje pasurie.
Alban Qafa tha një prononcim për mediat menjëherë pas seancës së tre të arrestuarve, se Shullazi nuk e ka kërcënuar biznesmenin Jani Zaka për ti marrë parkingun 1200 m2, por vetëm i ka kërkuar që ai të zgjidhë mosmarrëveshjen me Fatmir Sinanajn.
“Ka një deklarim të Jani Zakës por nuk thotë që është kanosur nga Emiljano Shullazi. Ka pasur vetëm një takim me të dhe Shullazi i ka kërkuar të zgjidhin problemin që kishte me Fatmir Sinanajn. Ka vetëm një takim ku i kërkoi të zgjidhnin çështjen. Deklarimi i Jani Zakës nuk thotë që është kanosur nga Shullazi. Për rastet e tjera nuk ka asnjë shtetas që ta ketë kallëzuar”, tha avokati i Shullazit.
Sipas tij, ndërhyrja e Emiljano Shullazit në këtë çështje mes Fatmir Sinanajt dhe Jani Zakës është bërë me kërkesë të djalit të Fatmirit. Qafa tha gjithashtu se kalimi i pronësisë së ish Vollgës është bërë sipas ligjeve në fuqi.
“Emiljano Shullazi ka pasur njohje me njërin nga djemtë e Fatmir Sinanajt. Prona e Vollgës nuk është marrë në mënyrë të paligjshme nga Emiljano Shullazi. Me gjithë këtë trysni mediatike dhe politike që ka pasur kohët e fundit, ne e prisnim një vendim të tillë. Megjthatë, nuk ka asnjë provë për Shullazin, atij nuk iu gjet asnjë armë”, u shpreh më tej avokati i Shullazit.