Sportistet më të mira në vend do të kërkojnë shkëlqimin në kampionatin evropian të xhudos që prej të enjtes zhvillohet në Kazan të Rusisë, shkruan Koha Ditore.
Por më e rëndësishme se shkëlqimi në kampionatin e Kontinentit të Vjetër, për Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën është përgatitja për ngjarjen më të madhe të vitit dhe më të madhen në përgjithësi në sport – Lojërat Olimpike.
Evropiani i vitit 2016 do të jetë testi më i madh për dy xhudistet para Lojërave Olimpike që mbahen në gusht. Në maj, qershor e korrik mbahen turne të mëdhenj të xhudos, por gjatë këtyre tre muajve të gjithë xhudistët elitarë do të punojnë për formën, që në Rio në fillim të gushtit të jenë në pikën më të lartë.
Njëjtë do të veprojnë edhe Majlinda e Nora që pritet të jenë të vetmet sportiste kosovare që me normë të fituar do të paraqiten në Lojërat Olimpike Verore.