Nga Eduard Zaloshnja
Në artikullin e tij të fundit tek Lapsi.al, Andi Bushati e ka përmbledhur që në titull thelbin e rastit “Shullazi” – “Mos u zini, Shullazi është i të gjithëve!”, shkruan ai. Në fakt, Bushati e kufizon përgjegjësinë vetëm tek partitë politike, të cilat e kanë mbrojtur Emiliano Shullazin, sipas rradhës së të qënit në pushtet. Por përgjegjësia nuk është vetëm e partive – është e të gjithë shqiptarëve që kanë mundësuar përmes votës së tyre, që partitë që kanë mbrojtur Emilianon dhe shumë “Shullazë” të tjerë thjesht të ndërrojnë karriget e pushtetit në këto 25 vjet.
Për ta shmangur këtë situate 25-vjeçare, hyn në punë koncepti i “të menduarit përtej së zakonshmes”, në mënyrë që të sfidohen perceptimet dhe presupozimet e vjetëruara. Koncepti i të menduarit përtej së zakonshmes (në gjuhën e përditshme në SHBA, përdoret shprehja “të mendosh jashtë kutisë”) filloi të përdoret gjerësisht në vitet 1960 dhe e ka origjinën tek rebusi 9-pikësh, një lojë që është përdorur nga konsulentët e menaxhimit për të nxitur “të menduarit gjerësor”. Disa nga zgjidhjet e këtij rebusi arrihen duke hequr viza që dalin jashtë katrorit ku përfshihen 9 pikat. Prandaj dhe thënia “të mendosh jashtë katrorit apo kutisë” përdoret gjerësisht si një metaforë për të menduarit përtej së zakonshmes. Sot kjo thënie përdoret për novatorët, të cilët janë të vetëdijshëm për ndryshimet e vrullshme në botë dhe për nevojën e shmangjes së pandryshueshmërisë në të menduar.
(Rebusi 9-pikësh i sfidon lojtarët që të bashkojnë 9 pika brenda një katrori, duke hequr 4 ose më pak viza të drejta, pa e shkëputur lapsin nga letra dhe pa kaluar mbi të njëjtën vizë dy herë. Disa nga zgjidhjet e këtij rebusi arrihen duke hequr viza që dalin jashtë katrorit ku përfshihen 9 pikat)
Në kushtet aktuale të Shqipërisë, Fatos Lubonja ka vite që mendon “jashtë kutisë” së partive aktuale, por nuk ka demonstruar se është në gjendje që edhe të veprojë “jashtë kutisë”. Ndërsa Gjergj Bojaxhiu dha shenja se mund të vepronte “jashtë kutisë”, kur kandidoi si i pavarur për Bashkinë e Tiranës (duke bërë një fushatë modeste dhe me transparencë për kontributet e shumta modeste financiare nga përkrahësit). Por qysh atëherë, ka dhënë shenja shumë të vakta se do ta vazhdojë veprimin “jashtë kutisë”. Ben Blushi dha gjithashtu shenja se do të vepronte “jashtë kutisë” së PS-së, por duket se i është rikthyer avazit të vjetër të “reformimit nga brenda”
Shqipëria ka një nevojë urgjente për një lëvizje të re politike që të veprojë “jashtë kutisë” së partive aktuale, kuti në të cilën përzihen politikanë, kriminelë, biznesmenë, kontrabandistë, korruptues, të korruptuar, servilë, të paaftë, të degjeneruar, etj. etj. Nëse nuk lind një lëvizje e tillë, do të vazhdojmë të dëgjojmë ata që ishin dje në pushtet të hiqen si shenjtër, derisa të zëvendësojnë këta të sotmit. Që pastaj të ndërrojnë vendet në foltoret e përdëllimit…