Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Departamenti Kulturor të Ambasadës Shqiptare në Berlin është hapur të martën ekspozita: “499 965” Familja Marubi, pionierët e fotografisë shqiptare, thuhet në një njoftim të Ambasadës së Shqipërisë në Berlin.
Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin kulturor.
Në këtë ekspozitë, e para të këtij lloji në Berlin janë ekspozuar 35 fotografi me vlera historike, sociale kulturore dhe antropologjike, gjithashtu edhe foto të pazakonta me mesazhe të një natyre shkencore ose simbolike.
Ekspozita tregon fytyrën evropiane të Shqipërisë e cila ka qenë kulturalisht dhe intelektualisht e lidhur me Evropën ndër shekuj, përcjell albinfo.ch.
Objektivi i saj është të dëshmojë këtë fakt dhe gjithashtu të rregullojë imazhin stereotip të krijuar për shqiptarët në Gjermani lidhur me fluksin e tanishëm të refugjatëve.
Italiani Pietro Marubbi u largua nga vendi i tij për arsye politike. Ai erdhi së bashku me pajisjet e tija fotografike dhe u vendos në veri të Shqipërisë duke ndërtuar kështu një perandori fotografike, e cila është një thesar unik për Shqipërinë.
500.000 imazhe të Shqipërisë së vjetër janë shkrepur në disa dekada. Pa këto dokumente historike, vështirë se do të dinim sot sesi dukej Shqipëria në periudhën gjatë viteve 1858-1940.
Fotografi Pietro Marubi ka bashkëpunuar me dy shqiptarë të rinj e të talentuar, që e vazhduan punën edhe pas vdekjes së tij: Kel dhe Gegë Marubi të cilët arkivuan në studio, mbi tre breza të Shqipërisë, në shekullin e XIX dhe të XX.
Këto ishin fotot e para në qytetin verior shqiptar të Shkodrës. Sot ajo studio fotografike është një muze që përmban një koleksion prej gjysmë milion fotosh.
Ekspozita do të mbetet e hapur deri më prill 2016, në Galerie Irrgang, Friedrichstrasse 232, Berlin, orari çdo ditë: 11:00-18:00, të shtunën nga ora 14:00-18:00.