Apple po punon për një produkt të ri, sipas disa burimeve nga kompania dhe bëhet fjalë për diçka që kompania nuk e ka ndërtuar asnjëherë më parë. Tani një raportim i ri ka dalë dhe mund të ketë zbuluar një laborator sekret ku punëtorët e Apple po bëjnë kërkime mbi këtë produkt të ri emocionues.
Fansat e Apple ndoshta kanë menduar që laboratori sekret është i lidhur me planet e përfolura të Apple për Apple Car. Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung laboratori sekret i Apple ndodhet në Berlin, ku 15-20 punonjës me njohuri në inxhinieri, programim, hardware, dhe shitje po punojnë për një makinë e cila do të jetë gati në të ardhmen.
Apple Car pritet të shëtisë rrugët në vitin 2019 ose 2020, thotë raportimi, por nuk është ende e qartë nëse ky model i parë do të vijë me aftësi vetë-drejtuese, siç është thënë më parë. Makina mund të krijohet nga kompania prodhuese e pjesëve të makinës, Magna, e cila zotërohet nga miliarderi austriak-kanadez Frank Stronach. Raportime të mëparshme kanë spekuluar që edhe BMW mund të jetë një ndër konkurrentët që mund të ndërtojnë makinën e parë Apple.
Përveç njerëzve që punojnë në laboratorin sekret të Berlinit, Apple ka punësuar shumë ekspertë makinash gjatë viteve të fundit, duke përfshirë ish-punonjësit e Tesla, Ford dhe Mercedes-Benz.