Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ish presidenti serb, Sllobodan Millosheviç ka bërë dy gabime të pafalshme, të cilat, sipas tij, e kanë futur Serbinë në konflikt ushtarak dhe vrasje me motivacione politike.
“Njerëzit nuk duhet t’i ekspozohen kësaj gjëje. Nuk duhet të hysh në konflikt pa një qëllim dhe pa një strategji dhe të dalësh i dështuar. E dyta, nuk mund ta fajësoj atë drejtpërdrejt, e as të ndërhyjë në vendimet e gjykatës, por mendoj se është gjithmonë keq kur ndodhin vrasje me motivacione politike”, ka theksuar kryeministri serb, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, Millosheviçi ishte një burrështetas, mirëpo qëllimet e tij – për të mbrojtur popullin serb – ishin më të mira se rezultatet, që ishin të këqija.
Kur intervistuesi pyeti Vuçiçin nëse ai po fajëson “Millosheviçin për shkak se ka humbur luftërat dhe jo pse i ka nisur ato”, ai është përgjigjur: “Nuk mendoj që ai është fajtori kryesor për luftërat e shkaktuara. Në çdo rast, ka qenë gabim të hysh në luftë. Do të duhej të tregohej më i mençur, sepse po drejtonte shtetin”, ka thënë ai.
Vuçiç ka thënë se nuk dëshiron të gjykojë Millosheviçin, por edhe as që ta lavdëroj më. Sipas tij, historia do të gjykojë çdo gjë.