Tashmë duket se aeroporti i Kukësit po bëhet një realitet gjithnjë e më i prekshëm. Pasi heqjes së ekskluzivitetit të aeroportit të Rinasit tashmë, kompania hungareze Low Cost Vizz Air ka hedhur hapa konkretë për marrjen me koncesion të aeroportit të dytë në veri të vendit.
Drejtori i Projekteve në Ministrinë e Transporteve Krislen Keri konfirmon se qeveria është kontaktuar nga kompania ndërkohë që përfaqësuesit e saj kanë vizituar aeroportin.
Sa për negociatat për shitjen e marrëveshjes koncesionare të Aeroportit të Rinasit, Keri thotë se Ministria është vënë në dijeni nga pala gjermane për negociatat, dhe se është në pritje të përgjigjes përfundimtare e cila do i vijë pas përfundimit të tratativave.
Sa për çmimet e biletave, Keri thotë se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit aplikon tarifa shumë të larta aeroportuale prej jo me pak se 40 euro për individ, shkak për të cilin çmimi i biletave nuk mund të bjerë nën kuotën e 80-100 eurove për person.
Aeroporti i Kukësit do të bëjë të mundur çmime biletash nën 40 euro.
Sipas Kerit, së shpejti duket se do të kemi edhe një aeroport të tretë në Sarandë, i cili do të orientohet kryesisht nga turizmi.
Edhe për këtë aeroport Qeveria po studion mundësitë për dhënien me koncesion.