Një 42-vjeçar kosovar është arrestuar në komunën Desenzano del Garda, në provincën e Breshias, në Itali, i akuzuar si një nga autorët e grabitjes në vilën e familjes së njohur italiane Agnelli, pronarë të klubit futbollistik Juventus dhe të shoqërisë së prodhimit të automjeteve të markës “Fiat”.
42-vjeçari kosovar është arrestuar pas një kontrolli rutinë të policisë rrugore italiane. Në makinën e tij është gjetur një orë dore me vlerë 200 mijë euro.
Pas verifikimeve të forcave të rendit është vërtetuar se kjo orë i përkiste familjes Agnelli, e rezulton si një nga objektet e vjedhura në këtë vilë. Në zotërim të shtetasit kosovar janë gjetur gjithashtu dhe çelësat e një banese në qytetin Cinisello Balsamo në provincën e Milanos. Pas kontrollit në këtë banesë policia italiane ka gjetur 18 orë tjera dore e disa monedha ari, të gjitha pjesë e materialeve të vjedhura në vilën Agnelli, shkruan Balkanweb.
Vila Agnelli është në pronësi të Allegra Agnelli, e veja e sipërmarrësit të njohur italian Umberto Agnelli si dhe nëna e Andrea Agnellit, Presidentit të klubit të futbollit “Juventus”.
Vila Agnelli e cila gjendet në hyrje të qytetit të Torinos, në bren dësi të parkut della Mandria, u grabit më datën 26 mars, në prag të festë së Pashkëve.
Supozohet se banda grabitëse përbëhet nga 4 anëtarë te gjithë me nënshtetësi të huaj.
Autoritetet italiane po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje e mbi të gjitha të faktit se si grabitësit kanë mundur ti shmangen mbikëqyrjes private të kësaj vile.