Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar ish hotel Vollgën, pronën e cila ju “fal” Emiliano Shullazit nga ana e një pronari arab. Me leje të gjykatës, organi i akuzës në qytetin bregdetar ka vënë nën sekuestro preventive objektin në fjalë, nën dyshimin se është përfituar përmes falsifikimit të dokumentave si dhe një sërë veprash të tjera penale si “shpërdorimi të detyrës” apo “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, të nisura në bazë të kallëzimit të shtetasit Z.H., janë krijuar dyshime të arsyeshme për paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë.
Prokuroria e Durrësit konstaton se janë kryer një seri veprimesh të dyshimta për tjetërsimin e pronës në favor të shtetasve të ndryshëm.
Këto veprime të dyshuara antiligjore, sipas Prokurorisë së Durrësit, shtrihen në zyrën hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit, e cila ka marrë vendim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt.