Qershori është afati i fundit për përdorimin e faturave a forfeit të energjisë, dhe ministri i MEI, Damian Gjiknuri shprehet optimist për pajisjen me matësa të energjisë të konsumatorëve.
Ministri tha se qytetarët në disa raste kanë mungesë dëshire për të vendosur këto matëse, por ai përmendi penalizimin e tyre.
“Vetëm në periudhën e fundit, në Tiranë janë instaluar mbi 6700 matësa dhe ka mbetur edhe një pjesë tjetër për të përfunduar plotësisht. Të gjithë konsumatorët shqiptarë do të kenë matësa. U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin auroritetet, të mbështesin Operatorin e Shpërndarjes kur vijnë për instalimet. Ka patur një mungese dëshirë nga qytetarët për vendosjen e këtyre matësave. Këto janë shkelje të ligjit dhe këto nuk do të falen, do të penalizohen. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët të tarifohen dhe të paguajnë energjinë që konsumojnë sipas matjes së rregullt që e bëjnë këto matësa. Realisht ky është qëllimi. Pra, për të qenë të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe për t’iu ardhur në ndihmë vetë konsumatorëve të energjisë elektrike”, nënvizoi Gjiknuri.
I shoqëruar nga administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, Gjiknuri ka inauguruar investimin 1.7 miliardë lekë për zonat Babrru, Paskuqan, dhe Bathore.
Investimi përfshin ndërtimin e 128 kabinave të reja dhe vendosjen e 3500 shtyllave. OSHEE po shtron 379.5 kilometër linjë të re prej të cilave 173.7 km janë linjë nëntokësore 20 kilovolt dhe 205.8 km linja ajrore ABC.