Shqetësim për muzikën dhe këngëtarët e ditës së sotme shprehin disa emra të muzikës së lehtë shqiptare. Sipas kompozitorit të njohur Agim Krajka, muzika shqiptare ka humbur tabanin kombëtar dhe këngëtarët më shumë rëndësi i kushtojnë veshjes së muzikës. Deklaratën e Krajkës në një intervistë për të përditshmen, ‘Sot’ e mbështet, këngëtarja Ermira Babaliu, e cila vë alarmin, se muzika e sotme prodhohet nga turma dhe jo specialistë të muzikës.
AGIM KRAJKA: ARTI NË SHQIPËRI KA MARRË FUND, NGA POPULL ME KODE DHE TRADITA JEMI KTHYER NË TURMË
Në intervistën dhënë për gazetën, kompozitori Krajka vjen në një rrëfim për jetën e tij, këngët dhe muzikën e filmave. Ndalet dhe flet për vitet që ka qenë pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve për tu larguar më pas në vitin 1990 në drejtim të Amerikës. Jetoi atje për 17 vjet, por siç pohon dhe vetë kur u kthye nuk gjeti atë që kishte menduar se do të ishte bërë Shqipëria. Nderuar me titullin “Mjeshtër i madh” në muzikë, Agim Krajka tregon se sot me trishtim shikon që për artin shqiptar nuk ka zhvillim. Sipas kompozitorit, ai shprehet kështu sepse e gjen në realitetin shqiptar diçka të tillë. Kompozitori pohon se në aktivitetin e tij muzikor gjithmonë tabani kombëtar ka qenë ai në të cilën është mbështetur për muzikën e tij, por sot kjo gjë ka humbur. Në festivale për kompozitorin Krajka më shumë gjen nga ata që i kushtojnë më shumë rëndësi veshjes se sa këngës që do të përcjellin para publikut. Por jo vetëm kompozitori Krajka është i lidhur me muzikën, por dhe bashkëshortja e tij si dhe dy djemtë janë gjithashtu artistë të njohur dhe shumë të vlerësuar. Me dy djem pianistë, Krajka tregon se ndjehet i lumtur që ata kanë arritur merita në aktivitetin e tyre muzikor, duke pohuar se roli i bashkëshortes ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë aktivitetin e tij si artist.
Të gjithë ata që duan ta takojnë kompozitorin e njohur Agim Krajka mund ta gjejnë çdo ditë te “Lemza”. Lokali juaj, i cili ka emrin e këngës suaj të parë në Festivalin e Radios. Pse ky emër, vetëm për shkak të këngës suaj të parë?
Lemza është emër i veçantë. Më habit fakti, që shikoj që janë mbushur lokalet me lloj -lloj emrash të huaj, emra të çuditshëm që nuk i merr vesh kush. “Lemza” është i veçantë, ka një histori të bukur në këngë, njerëzit e njohin këngën. Ndaj ky emër se ishte e lidhur dhe me krijimtarinë time, ishte një këngë që i takon vitit 1961. Kjo ka qenë dhe kënga ime e parë në festival që u prezantova, kënduar nga Veçe Zela. Pas këtij prezantimi, më pas konkurrova në festival me këngën “Djaloshi dhe shiu” kënduar po nga Vaçe Zela. Por më vjen keq, sepse sapo vihej kënga në radio u hiqte.
Ishin këngë që i këndonin dashurisë, por pse ndodhte kjo në ato vite, ndërkohë që ishin dhe dy këngët tuaja ta para në festival?
I quanin si këngë të parakohshme, jepej urdhër nga lart ato vite, çfarë janë ato këngë që po na tërbojnë rininë. Kështu ndodhi pas “Lemzës” kur shkruajta këngën “Djaloshi dhe shiu”. Ndërsa në sallën e festivalit u bë nami për këngën, por e hoqën nga radio nuk e transmetonin më. Po kështu dhe këngën “Lemza” e rivunë në radio pesë muaj pasi e hoqën nga transmetimi. Kujtoj që po kaloja rrugës atë kohë dhe do shkoja të blija qumësht, por në një altoparlant aty pranë dëgjoj që thonë: pushoni se po këndohet kënga “Lemza”. Në atë moment gëzohem dhe i them, kjo është kënga ime.
-Sa vjeç keni qenë në atë kohë kur sollët këto dy këngë, që dhe sot kanë mbetur të paharruara dhe vazhdojnë të këndohen nga publiku?
Kam qenë në moshën 23 -24 vjeçare. Pas festivalit këto këngë nuk i transmetonin më në radio, kur kalonin disa muaj më vonë jepeshin sërish. Ishin këngë të bukura, por partia atë kohë thoshte: janë këngë që po na degjenerojnë rininë.
Janë kënduar nga Vaçe Zela, por kur i propozuat këto këngë, si e priti ajo?
Unë njihesha me bashkëshortin e saj, kur ai më thotë një ditë: Agim pse nuk bën dhe ti një këngë, ti je dhe fizarmoniçist. Po e provoj i them. Shkruajta këngën dhe i them Vaçes, e cila thotë që dua ta dëgjoj. Kur e dëgjoi këngën, më thotë: ti nuk e di se çfarë ke bërë, po a ka gjë më të bukur se kjo këngë, “Lemzën” do ta këndoj unë. Kështu që kjo këngë u këndua nga Vaçja, por dhe më pas kur kisha këngën “Djaloshi dhe shiu” sërish ajo e këndoi në festival. Pas këtyre këngëve shkruajta dhe një tjetër këngë në mos gaboj, “Ne jemi katër” në festivalin e tretë apo të katërt. Por më pas duhet që të matesha shumë që unë të shkruaja këngë, sepse sipas asaj udhëheqje ishin të parakohshme, dhe e paguanin shtrenjtë dhe ata që e transmetonin. Më vonë pas këtyre viteve të para të festivalit, fillova të shkruaja këngë të tjera. Por ishte Vaçja ajo që më bëri të kompozoja këto këngë, shkruajta këngë për rininë në ato vite, por që i këndonte ajo. Edhe tek “Lemza” kam CD me këngët e mia dhe i vendos ndonjëherë.
Këto ditë është hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve një ekspozitë me postera të filmit shqiptar, dhe aty ishin dhe filmat që ju keni shkruar muzikën e tyre. Filma të vlerësuar të kohës së Kinostudios. Çfarë mund të na thoni për këtë pjesë tjetër të artë të veprimtarisë suaj?
Kam shkruar muzikën e tetë filmave shqiptarë, përmend këtu filmin “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Njësiti gueril”, “Në pyjet me borë ka jetë”, etj. Atë kohë ishte regjisori ai që vinte të propozonte muzikën, të jepte libretin e filmit dhe ne bashkë e vendosnim, por më shumë i linin në dorë kompozitorit. Shkruanim muzikën që e luante Orkestra e RTSH. Ishin nota muzike të hedhura me dorë në pentagram.
Por sot është shumë elektronika në muzikë?
Prandaj sot nuk mund t’i ndash dot. Janë të gjitha njëlloj kur flitet për muzikën. Më vjen keq ta them, por sot krijimtaria muzikore është kthyer në një gjendje të dhimbshme. Më thoni çfarë veprash apo këngësh po dëgjoni sot? Me çfarë krijimtarie muzikore po ushqehet rinia sot? Me muzikën e turmës. Sepse vetë ata që e shkruajnë atë janë pjesë e turmës, nuk janë masë e vetëdijshme, e ndërgjegjshme që i përket një kombi, që ka për detyrim të riprodhojë kulturën e atij populli. E kam thënë dhe më parë, Bonaparti thoshte: turma nuk di ku ka ardhur dhe nuk di ku do shkojë. Më thoni çfarë rinie të vetëdijshme keni.
Ju flisni për probleme, dhe keni reaguar herë pas here, por çfarë mund të na thoni kur kemi dhe kompozitorë të njohur që janë tërhequr nga skenat e festivaleve?
Janë tërhequr, sepse e shikojnë se çfarë çmohet apo nuk çmohet sot në turmë, sepse festivali transmetohet në popull. Kjo sepse janë edukuar me shije tjetër. Për çfarë të shkruash sot? Nuk ke për çfarë të shkruash.
Edhe ju vetë më herët jeni shprehur se keni këngë të shkruara, por pse nuk i prezantoni?
Kam këngë të shkruara më herët, por kujt i hyn në punë? Mund ti hyjë në punë ndonjë këngëtareje për pasionin e vet, por as asaj nuk ia incizojnë.
Përmendët pak më parë të drejtën e autorit. Sa shpresoni me ligjin e ri që është miratuar para disa ditësh?
E drejta e autorit në vend është një falsitet zyrtar. Jo vetëm unë, por dhe kolegë të mi që kanë shkruar këngë, filma, nuk janë shpërblyer sa duhet për të drejtën e autorit. Unë vetë jua kam thënë, 100 lekë të vjetra nuk kam marrë për këngët dhe kjo gjë do të vazhdojë. Ky sistem njeh vetëm foljen më jep, na nuk e njeh. Jua kam treguar rastin e Amerikës, që për atë muzikë që u përdor në film që e kisha shkruar unë, për dy ditë më erdhën 250 dollarë në shtëpi. Jam në Shqipëri dhe po shkoj 80 vjeç dhe nuk më paguajnë të drejtën e autorit për krijimtarinë time në muzikë. Nuk kam shpresa as te ligji i ri. Çdo gjë më duket pseudo. Fola pak më parë për filmat, por kanë qenë filma që regjisorët i kushtonin jetën atyre veprave njëlloj siç ne kompozitorët i dedikoheshim muzikës në ato vite. Por sot më thoni keni më vepra të tilla. Me keqardhje shikoj, që në art ka marrë fund gjithçka.
Pse e shikoni kaq të trishtë gjendjen në art?
E shikoj, sepse i tillë është realiteti që më imponohet. Unë jetoj këtu, jetoj me këtë popull. Një gjë dua t’ju them, shikoni keni shumë kanale televizive, të gjithë toponime të huaja i kanë emrat e tyre.
Në maj Shqipëria merr pjesë në Festivalin Europian. E keni dëgjuar këngën? Çfarë mendimi keni?
Nuk më duhet gjë, as nuk kam pasur interes për më shumë. Kjo sepse u lodha dhe u plaka, duke pritur për disa gjëra që në radhë të parë të ishin në shërbim të kombit tim, pastaj të neve që jemi marrë me krijimtarinë muzikore, por rezultati zero. Edhe nëse e kam ndjekur apo dëgjuar, e çfarë pastaj? Ajo këngë përfaqëson Shqipërinë? Mund të jetë këngë shumë e bukur, por bota e njeh Shqipërinë. Edhe kënga shqiptare, që të jetë shqiptare duhet të ketë rrënjën që të ketë ardhur nga shqiptarizmi. Jua kam thënë dhe më herët. Ishte Festivali Ndërkombëtar i Folklorit në Dizhon të Francës në vitet ’70, morën pjesë rreth 100 vende të botës, po kush e mori gjerdanin e artë? E mori kultura e popullit tim atë gjerdan të artë, Ansamblit Kombëtar vetëm iu vu në qafë ai gjerdan. Po më thoni ku është sot kjo kulturë?
Meqë po flisni për Ansamblin, ju keni dhe një krijimtari shumë të pasur. Si i kujtoni vitet tuaja kur punonit pranë Ansamblit të Shtetit?
Kam qenë me Ansamblin e Shtetit për 27 vite, dirigjent, kompozitor, etj. Por ama sot më vjen keq kur e shikoj në atë gjendje. Janë të mirë ata artistë aty, por janë shumë pak, duket sikur e mbajnë vetëm si për formë. Ka humbur shumë nga ai Ansambël, që ka qenë dikur. Po kush do t’ia dijë se çfarë gjendje është sot Ansambli. Pranë këtij Ansambli kam qenë deri në vitin 1990 kur më pas shkova në Amerikë. Sot ka ndryshuar sistemi, por është pseudosocializëm në gjithçka.
Nga e gjithë krijimtaria juaj, a veçoni këngë?
Nga gjithë ajo krijimtari muzikore, që unë kam shkruar në këngë, veçoj atë krijim të vitit 1987, ishte kënga që më dha çmim të parë. Por në 1990 largohem drejt Amerikës dhe u shkëputa nga krijimtaria këtu.
Para 26 vitesh ju niseni drejt Amerikës. Por çfarë kujtoni nga 1990, kur flasim për largimin tuaj?
Ne ishim një grup artistik në vitin 1990. Atje na mbajtën dhe qëndruam. Më pas mua më erdhi dhe Ami me djemtë, ku qëndruam për 17 vjet në Nju Jork.
Gjithë këto vite, si ishin për ju atje?
Kam punuar për 12 vite rresht në një restorant në Broduei me fizarmonikë. Jepja koncert çdo natë. Vinin dhe shumë artistë vetëm për të dëgjuar maestron. Në dy vitet e para unë kam punuar për shqiptarët, por gjatë asaj kohe në atë lokal më vodhën dy herë fizarmonikën. Ishin po shqiptarët që kishin inat dhe më vodhën fizarmonikën. Pas kësaj u detyrova të punoj në një tjetër lokal, ishte pronari me origjinë italiane dhe aty kam punuar për 12 vite me radhë.
Ju vetë jeni kompozitor, por keni dhe dy djemtë tuaj artistë. Një familje artistësh?
Djemtë e mi Uliksi dhe Fatrini janë me muzikën, kanë mbaruar studimet për piano. Fatrini ka dhënë koncert dhe në një nga sallat më të mëdha të Nju Jorkut, ka qenë një nga momentet më të rëndësishme të jetës sime. Koncerti u dha pasi ai fitoi një konkurs, ku ishin 125 pianistë nga gjithë bota dhe mori çmim të parë.
Një këshillë, që ju ia keni dhënë djemve tuaj?
Në doni të mirën bëni mirë, në doni të keqen bëni keq dhe do ta paguani menjëherë. Kjo ka qenë këshilla ime për ata në jetë.
Ndryshe nga disa artistë, që nuk kanë dashur që fëmijët e tyre të marrin rrugën e artit, ju keni investuar që ata të marrin këtë drejtim?
Kam investuar që ata të shkollohen dhe të marrin këtë edukim. Djali i madh, Uliksi, doli pianist ekselent, djali i dytë mori çmim dhe dha koncert në Nju Jork, ku unë nuk e besova.
Edhe bashkëshortja juaj, Ami, është artiste. Jeni një familje artistësh, të gjithë të vlerësuar në fushën e artit ku kontribuojnë. Si ndihesh?
Bashkëshortja ime, Ami, luan në violë. Por në Amerikë u formua në shumë drejtime. Bashkë të dy atje ne hapëm dhe një shkollë muzike, ku Ami filloi të jepte mësim. Ajo shkollë u mbyll kur erdhëm në Shqipëri.
Ju atje kishit një aktivitet tjetër në fushën e muzikës, kishit shkollën, pse u rikthyet në Shqipëri?
Breshka ferrën do. Si e gjeta ferrën? E lashë ferrë dhe e gjeta po ashtu. Por është vendi im. Vendi yt është vendi yt. Një cigare të të mungojë, nuk të vjen zor t’i kërkosh dikujt, je në vendin tënd, ke tradita dhe zakone. Por unë nuk e mendoja, që pas aq shumë vitesh që je në Amerikë do ta shikosh këtë vend aq të dhunuar. Lashë në 1990 një popull fukara, por e lashë me kodin e vet, traditën dhe muzikën e vet. Kur erdha pas 17 vjetësh, kishte ndryshuar shumë. Jam rikthyer në Tiranë më 2007. Kur jam larguar në Amerikë lashë një popull me traditën e tij, kishte kodin e tij, kulturën e vet, gjuhën e vet, por sot? Populli është kthyer në turmë.
E vazhdoni punën me mësimet private me të rinjtë në fizarmonikë?
Vazhdoj, vijnë të rinjtë, fillojnë shkollën pastaj…
Në gjykimin tuaj, si janë sot të rinjtë në këngë?
Zëri është meritë biologjike me të cilën lind njeriu. Po se ç’bën ti me zërin, ajo më pas është merita jote artistike. Por ama nga turma e madhe që dalin në skenë, shikoj që del aty me dy kitara dhe lloj -lloj muzike që nuk merret vesh, ndërsa dhe të rejat më shumë shikojnë se si do të jenë veshur se sa çfarë do këndojnë.
Larg muzikës, si e kalon ditën kompozitori Agim Krajka?
Kafen e pi te “Lemza” çdo mëngjes, pastaj një xhiro nga Pazari i Ri, blej për shtëpinë. Takoj diku tjetër një mik apo një shok, kështu kalon koha.
Jeni shprehur se gjithmonë jeni mbështetur në tabanin kombëtar. Por sa ju ka ndihmuar kjo në ato vite kur krijimtaria kontrollohej?
Është e vërtetë, që unë gjithmonë në krijimtarinë time jam mbështetur në tabanin tonë kombëtar. E njihja shumë mirë muzikën popullore dhe mbështetesha në atë krijimtari. Kam qenë vëllai i gjashtë motrave dhe im atë ishte llogaritar. Unë punoja me fizarmonikë shumë dhe shkoja punoja kudo duke i rënë fizarmonikës dhe e njihja shumë muzikën popullore. Më ka ndihmuar shumë kjo krijimtari, por është vlerë e popullit tim.
Një jetë e gjatë artistike, si ka qenë roli i bashkëshortes suaj në aktivitetin tuaj, sa ju ka ndihmuar?
Ami ka ditur me shumë mençuri dhe zgjuarsi, ka qenë një grua që më takon mua si Agim Krajka, plus vlerave të saj rridhte nga një familje aristrokate. Kur ikëm në Amerikë më pas iu lehtësuan problemet, nuk kishim më probleme nga ana ekonomike, më pas ajo filloi të merrej me muzikën dhe shkollën. Një grua që ka bërë shumë për mua.
I keni shkruar këngë?
Jo nuk i kam dedikuar këngë në veçanti, por të gjitha këngët e mia janë për dashurinë dhe ajo është aty. Në këtë pjesë të dashurisë merr pjesë dhe Ami. Jeta e kompozitorit Agim Krajka lindi në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i apasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë babai i tij. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionerit ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.
ERMIRA BABALIU: SOT USHEQJMË TË RINJTË ME MUZIKË TURME
Më vjen keq ta them, por sot krijimtaria muzikore është kthyer në një gjendje të dhimbshme. Më thoni çfarë veprash apo këngësh po dëgjoni sot? Me çfarë krijimtarie muzikore po ushqehet rinia sot? Me muzikën e turmës. Sepse vetë ata që e shkruajnë atë ,janë pjesë e turmës, nuk janë masë e vetëdijshme, e ndërgjegjshme që i përket një kombi, që ka për detyrim të riprodhojë kulturën e atij populli. E kam thënë dhe më parë, Bonaparti thoshte: turma nuk di ku ka ardhur dhe nuk di ku do shkojë.