Është mbajtur në Shkup protesta e radhës kundër vendimit të presidentit maqedonas Gjorge Ivanov për të falur politikanët e pushtetit të cilët po hetohen për vepra të ndryshme penale, siç janë krimet zgjedhore, korrupsioni, tortura etj., raporton Expressi.
Ajo që ra në sy në protestën sonte ishte pjesëmarrja më e dukshme e shqiptarëve dhe prania edhe e flamujve shqiptarë krahas atyre të Maqedonisë.
Protestuesit bërtisnin parulla “S’ka drejtësi s’ka qetësi”, “Dorëheqje”, “Burg për Gruevskin” e ngjashëm.Shënjestër e protestuesve në Shkup ishte edhe Ministria e Kulturës, si bartëse e projektit “Shkupi 2014”. Godina e kësaj ministrie u gjuajt me ngjyrë dhe vezë, siç ndodhi edhe me përmendoret në qendër të qytetit, që janë produkt i projektit në fjalë.
Ivanov shpalli amnisti për liderin e VMRO-së dhe ish kryeministër Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të cilët po hetohen nga Prokuroria Speciale Publike.
Protesta të mëdha me të njëjtat kërkesa – tërheqje e vendimit të Ivanovit për falje dhe dorëheqje të tij – u mbajtën edhe në qytete të tjera të Maqedonisë, si në Manastir, Shtip, Kumanovë.