Dekania e Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, njëherësh kandidate për rektore të Universitetit të Tiranës ka reagur ndaj akuzave të ish-kryeministrit Berisha për kërcënim të kandidatit tjetër për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nga Emiljano Shullazi.
Profesoreshë Dibra e cilëson të stisur këtë histori “nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot”. Sipas saj, zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës. Deklarata është bërë për gazetën Panorama.
Ishkryeministri Berisha akuzoi se një person me precedentë penalë ka kërcënuar rivalin tuaj për rektor, zotin Koni, që të tërhiqet nga gara, por dhe rektorin në detyrë Kule që të mos e mbështesë në këtë garë. Keni një koment për këto akuza?
Në deklarimin para gazetarëve të ishkryeministrit unë nuk shoh ndonjë akuzë për mbarëvajtjen e procesit, por një insinuatë lidhur me kërcënimin e rivalit tim (apo të dikujt tjetër) në këtë garë dhe madje edhe tërheqjen nga gara. Por shpejt u mësua se nuk kishte një dorëheqje!
Unë vazhdoj të këmbëngul, sikundër është bërë publike, që zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës. Ato janë përgjegjësi e vetë stafeve akademike, studentëve dhe profesoratit, të cilët kanë treguar, deri sot qytetari dhe kulturë. Ngjarja e pretenduar as që ka ndonjë lidhje me mua, por mesa duket, është stisur nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot. Por koha e tyre mbaroi! Ashtu sikundër nuk besoj se do të ketë kohë nga nesër e tutje edhe për të tjerë, që dëshirojnë të vetëviktimizohen ose lejojnë viktimizimin e tyre, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë për universitetin dhe të ardhmen e tij!
Sepse kanë qenë pjesë e atyre falangave që përmenda më sipër dhe iu ka mbetur thjesht të inskenojnë palavdinë e tyre, duke mos ditur të bëjnë gjë tjetër! Unë vijoj të tregoj me përgjegjshmërinë time se jam në këtë garë për ta fituar atë. Emrin tim dhe këtë përgjegjshmëri nuk e implikon dot askush, aq më tepër politika.