Në mediat shqiptare online, binte sot në sy një lajm që njoftonte se ka patur një rënie drastike të konsumit privat në 2015-ën me …0.15%! Vetë kjo shifër nuk sugjeron që të përdoret cilësori “drastike” për rënien, por më e rëndësishme është që, në këtë rast, është përdorur një statistikë e ngurtë, që nuk merr parasysh dinamikën e konsumit privat përgjatë tremujorëve të ndryshëm të vitit.
Për këtë arsye, në grafikun bashkëngjitur, kam pasqyruar treguesin e vëllimit të konsumit privat (të zhveshur nga luhatjet e çmimeve) për çdo tremujor, duke filluar nga tremujori i parë i 2009-ës, deri në tremujorin e fundit të 2015-ës.
Nga grafiku shihet se konsumi privat ka qenë 221 miliardë lekë në tremujorin e parë të 2009-ës dhe 243 miliardë në tremujorin e parë të 2015-ës (një rritje 10%). Ndërsa në tremujorin e fundit të 2009-ës ishte 218 miliardë, krahasuar me 249 miliardë në tremujotin e fundit të 2015-ës (një rritje 14%). Ndërkohë, në periudhën 2009-15, numri i banorëve të Shqipërisë (pra, i konsumatorëve) është pakësuar me rreth 120 mijë, ose me 4%.
Grafiku tregon se ka patur luhatje sezonale të vëllimit të konsumit privat në periudhën 2009-15, por mediana e tij (vija e mesme) ka njohur një rritje graduale nga 240 miliardë lekë për tremujor në 2009-ën, në 255 miliardë lekë për tremujor në 2015-ën. Kjo është një rritje mesatare modeste prej pothuaj 1% në vit, gjë që reflektohet edhe në rritjen anemike të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në periudhën 2010-2015 (Konsumi privat është sa 80% e PBB-së).