Zbulohet dokumenti përmes të cilit shoqëria arabe “Saudi Brothers Commercial Company” i ka dhuruar ish-hotel “Vollga” në Durrës Emiliano Shullazit, ku thuhet se “pronari ia dhuron pronën e tij Shullazit për mirënjohje”.
Megjithëse kjo kontratë dhurimi është firmosur dy vjet më parë, ku përfshihet edhe familja shqiptare Kodra si dhuruese, hetimet kanë filluar me iniciativë dhe pa asnjë kallëzim. Një burim jozyrtar i tha Top Channel se nuk ka ende një kallëzim për gjobëvënie për këtë çështje, pasi dhuruesit shqiptarë kanë refuzuar të denoncojnë.
Fillimisht ky rast është referuar në Prokurorinë e Durrësit nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Hetimet janë mbajtur pak kohë më parë në këtë qytet e menjëherë më pas është shpallur moskompetenca duke e ndarë dosjen në dy pjesë: në Durrës është hapur çështja e dyshimeve për pastrim parash, ndërkohë që janë përcjellë për tek Krimet e Rënda të dhënat për dyshimet e gjobëvënies.
Por do të duhet dëshmia e ortakut që ka dhuruar hotelin për të verifikuar nëse ai e ka bërë këtë me dëshirë, apo i kërcënuar.Emiliano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi do të dalin para gjykatës për akuzën e gjobëvënies jo vetëm për këtë episod, por edhe për rastin e 1.200 metra katrorë parking në Tiranë.
Prokuroria thotë në rrugë jozyrtare se përveç Jani Zakës dhe babait të tij Arjan Zaka është kërcënuar edhe një kushëri i tyre, me emrin Mario, i cili ishte ngarkuar me detyrë nga të dyshuarit që t’i bindte të kryenin operacionin financiar që kërkonte Shullazi.
/ Top Channel