Bashkia e Tiranës ka përfunduar rreth 70 për qind të punimeve për realizimin e projektit për rehabilitimin e lumit të Tiranës, i cili do t’i shërbejë më shumë se 1/3 të popullsisë së kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e deritanishme dhe u njoh nga afër me volumin e punës që është kryer në këtë pjesë të qytetit. Veliaj u shpreh optimist se ritmi me të cilin po ecin punimet, lumi i Tiranës do të përfundojë para dimrit të ardhshëm, ndërsa theksoi se zona do të marrë një zhvillim krejt të ndryshëm nga ai i deritanishmi.
“Besoj se në vjeshtë do t’i përfundojmë këto 7 km dhe kjo zonë jo vetëm që nuk do të përmbytet më, por do të bëhet një nga zonat më tërheqëse të qytetit, pasi brigjet e lumit do të kthehen në park, në fusha sportive dhe në ambiente rekreative për gjithë qytetarët e Tiranës. Duke e kthyer këtë pjesë në fusha sportive, hapësira të gjelbëruara, pista vrapi, në zona rekreative për qytetin, u kemi shtuar vlerën e pronës rreth 100 mijë familjeve që jetojnë pranë zonës të Lumit të Tiranës dhe krejt papritur zona më e diskriminuar do të jetë një nga zonat më të privilegjuara të qytetit, për t’u siguruar që investimet nuk prekin vetëm zonat turistike ose qendrore dhe administrative të qytetit, por gjithë periferinë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai vlerësoi se kolektori që po ndërtohet përgjatë kësaj zone do të sjellë një mënyrë të re të menaxhimit të ujërave të zeza, të cilat nuk do të derdhen më në lumë. “Edhe për ata që janë të vëmendshëm ndaj mjedisit dhe ndotjes, do të kemi një zgjidhje përfundimtare sa i përket ujërave të zeza në lumë. Jemi një komb i civilizuar, tallja me natyrën e cila na i kthen çdo gjë mbrapsht ka vazhduar shumë gjatë, ndaj edhe me përfundimin e kolektorit që ndjek punimet 7km në Bregun e Lumit, shpëtojmë një herë e mirë nga një kulturë që nuk na bënte aspak dinjitoze, të shkarkimit të gjithë ujërave të zeza në lumë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i bashkisë u shpreh se ky projekt tregon se kantieret e ndërtimit të punëve publike që Bashkia e Tiranës ka hapur nuk përqendrohen vetëm në zonën qendrore të qytetit. “Më vjen mirë që kantieri më i madh i punimeve ndodhet në periferi të Tiranës. Puna ka nisur të marrë formë dhe brenda vjeshtës do të shohim gjelbërimin e kësaj zone dhe se si nga një potencial rreziku ajo do të kthehet në një potencial shfrytëzimi dhe çlodhje për qytetarët. Kemi bërë një hap jashtëzakonisht cilësor në menaxhimin e Tiranës”, tha Veliaj. Sipas tij, me këtë projekt bashkia i ka dhënë Tiranës një park të ri, i cili bashkë me bulevardin e ri krijojnë atë që quhet parku “T”: një park qendror në bulevard dhe një park në lumin e Tiranës. Kjo, sipas Veliajt, do të mundësojë shfrytëzimin e gjithë ngarkesës që mbizotëron në liqenin e Tiranës.
Deri më tani, kompania që merret me zbatimin e projektit të rehabilitimit të Lumit të Tiranës ka realizuar rreth 70% të punimeve për gërmimin në shtratin e lumit dhe përgjatë zonës kufizuese të gjatësisë në të dy krahët, 68 për qind të punimeve për vendosjen e gurëve të mëdhenj mbrojtës, ka përfunduar ndërtimin e 10 nga 12 km kolektor si rrjet primar në të dy brigjet. Gjithashtu, paralelisht po punohet për ndërtimin e argjinaturave si mbrojtëse dytësore dhe të rrjetit dytësor të kanalizimeve për të lidhur shtëpitë pranë brigjeve. Rehabilitimi i lumit të Tiranës është një nga projektet strategjike të qytetit pasi i shërben përafërsisht një të tretave të popullsisë së kryeqytetit.
Bravo Erion, puna i mungonte qytetit deri para se te vije ti. Ky eshte super projekt dhe i domosdoshem per qytetin e Tiranes.
Te lumte Erion. Duhej patjeter nderhyrje ne ato zona.