Çështja e femrave të pamartuara, shpesh të stigmatizuara si “sheng nu” apo femra të lëna ose lënesha, prej kohësh ka qenë bazë për shqetësime të shumta në një shoqëri që i bën martesën dhe amësinë prioritet për femrat.
I titulluar “pushtimi i tregut të martesave”, një dokumentar katërminutësh i formës së videoklipit është prodhuar nga gjiganti japonez i bukurisë “SK-II” si kundërpërgjigje ndaj stigmatizimit të femrave mbi 27 vjeç që kanë ngelur pa u martuar.
Në një deklaratë për BBC-në, kryetari i SK-II, Markus Strobel, ka thënë se reklama ishte pjesë e një “fushate globale për inspirimin dhe fuqizimin e femrave që t’i japin vetë formë së ardhmes së tyre”.
“Filmi ndriçon problemet reale jetësore të femrave të talentuara dhe të guximshme kineze, të cilat ndihen nën presion për t’u martuar para se të mbushin 27 vjeç, moshë kjo kur cilësohen ‘sheng nu’”, tha Strobel. Ai tha po ashtu se kompania po adopton “një afrim pozitiv për t’u ndihmuar femrave që e ndiejnë këtë presion”.
Presion i madh nga shoqëria
Definicioni i përcaktuar nga qeveria, “femrat lënesha” u referohet të gjithë femrave të pamartuara mbi moshën 27-vjeçare.
Partia Komuniste në pushtet në Kinë po përpiqet të nxisë femrat në martesë për të zbutur pabarazinë e thellë gjinore të shkaktuar nga politika e porsashfuqizuar për të sjellë në jetë vetëm një fëmijë.
Mirëpo, sipas Leta Hong Fincher, autore e librit “Femrat lënesha: Rishfaqja e pabarazisë gjinore në Kinë”, femrat e vetme të Kinës ndodhen “në një pikë të vërtetë kthese” dhe shumica tani po fillojnë të përqafojnë modernizmin.