Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar prej AAK-së dhe Nismës të sqarojnë “flirtin” me partitë në pushtet, si parakusht për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm opozitar, i cili do të manifestohej edhe me protesta.
VV-ja ka lënë të nënkuptohet se nuk do të marrë pjesë as në protestën e thirrur nga AAK-ja për 14 maj, përderisa nuk sqarohen pozicionet, shkruan Koha Ditore.
Teksa partia e Haradinajt e ka akuzuar VV-në se po gjen “arsyetime kundër protestës”, në subjektin tjetër opozitar, Nisma për Kosovën, kanë mohuar bashkëpunimin me pushtetin.
Para se të diskutohet pjesëmarrja në protestën e paralajmëruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Këshilli i Përgjithshëm i “Vetëvendosjes” ka kërkuar sqarimin e pozicioneve brenda kampit opozitar.