Pak orë më parë në qytetin e Korçës një 60 vjeçar me emrin R. Zerolli humbi jetën pasi pësoi një infarkt. Ngjarja ndodhi në një lokal të qytetit juglindor të vendit, teksa 60 vjeçari ishte me familjen. Lajmi u publikua në media dhe pati sipas disa portaleve që citonin familjarët e viktimës, një vonesë të konsiderueshme të mjekëve dhe ambulancës.
Pas këtij elementi ka reaguar Ministria e Shëndetësisë e cila shkruan se të tilla informacione nuk janë të vërteta. Për këtë argument, në njoftimin e Ministrisë tregohet edhe GPS-si i autoambulancës që ka ardhur në vendin e ngjarjes pas 13 minutash dhe jo 45 minutash sic pretendohej.
“Në shkrimin me titull “Korçë, 60-vjeçari humb jetën pas infarktit në lokal, familjarët: Ambulanca 40 minuta me vonesë,” të botuar sot (17/04/2016) në portalin informativ online “Balkanweb.com” pretendohet se autoambulanca e shërbimit të urgjencës mjekësore i janë dashur më shumë se 45 minuta që për të mbërritur e për t’i ardhur në ndihmë shtetasit 60-vjeçar R.Z., e për pasojë, sipas këtij portali, familjarët hedhin akuza të rënda ndaj mjekëve se nuk iu përgjigjën thirrjes së tyre për ndihmë për të shpëtuar të afërmin e tyre.
E vërteta është krejt ndryshe.
Siç edhe mund të verifikohet fare lehtësisht nga dokumentacioni i shërbimit të urgjencës dhe regjistrimi elektronik i aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “KO 4291 B Urgjenca Korçë”, thirrja nga Policia e Korçës për t’i ardhur në ndihmë personit në nevojë është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën 12:50 dhe orari i mbërritjes së autoambulancës te vendodhja e personit në nevojë shënon kohën 13:03.
Pra, siç mund të shihet qartësisht, autoambulancës i janë dashur 13 minuta, dhe jo 45 minuta apo më tepër, siç pretendohet në shkrimin e sipërpërmendur, për të mbërritur në vendodhjen e personit në nevojë pas marrjes së thirrjes.”- shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.