Të paktën 77 persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një tërmeti 7.8 ballë që goditi zonën bregdetare të Ekuadorit. Zyrtarët vendorë kanë shpallur gjendjen e emergjencës në 6 prej 24 provincave të prekura nga tërmeti.
Një numër i madh shtëpish janë shkatërruar dhe një mbikalim është shembur.
Presidenti Rafael Correa u ka kërkuar 16 milionë banorëve të vendit të përballojnë me qetësi këtë situatë. Ai ka njoftuar se do të shkurtojë vizitën në Itali, për t’u kthyer në vendin e tij.
Zëvendëspresidenti Jorge Glas u shpreh se numri i të plagosurve nuk është saktësuar ende. Ai pranoi se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa vijojnë operacionet e shpëtimit.
“Po përpiqemi të bëjmë aq sa mundemi, por për fat të keq pak mbetet për t’u bërë në këto kushte”, tha Gabriel Alcivar, kryebashkiak i Pedernales, qytet në afërsi të epiqendrës së tërmetit.
“Nuk është vetëm një shtëpi e shembur, është një qytet i tërë”, tha ai.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë foto të shtëpive të shembura dhe qendrave tregtare të ndara në mes. Tërmeti është pasuar nga kaosi. Ndërsa ekipet e shpëtimit përpiqen të nxjerrin njerëzit nga rrënojat, në qytet janë shtuar vjedhjet dhe grabitjet.
Në Manta, aeroporti u mbyll pasi kulla e kontrollit u shemb. Digat dhe gazsjellësit janë mbyllur dhe po mbahen nën kontroll.
Sipas Qendrës Gjeologjike Amerikane, ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Ekuadorin që nga viti 1979.