Intervistë e Javanews me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Rekomandimet për ndërgjegjësimin e Institucioneve shtetërore dhe veshi i shurdhër i tyre ndaj këtyre dokumentacioneve sensibilizuese dhe këshilluese. Çfarë mungon realisht tek institucionet shqiptare dhe si duhet të ndryshojë mentaliteti i këtyre përballë zgjidhjeve të rekomanduara…
Intervistoi Ben Andoni
“Avokati i Popullit” ka adresuar prej kohësh shumë probleme, të cilat shkojnë gati pa u vënë re nga ana e institucioneve shqiptare. Në fakt, disa herë as nuk kthejnë përgjigje dhe ky është një problem vërtetë shqetësues, sipas z. Igli Totozani. Në këtë intervistë për JAVAnews, Avokati flet për rekomandimet e fundit bërë për refugjatët, rikonjicionin që është bërë realisht nga institucioni i tij në terren dhe më shumë akoma: indiferencën që buron pas dokumentacioneve të vazhdueshme që i përcillen shtetit shqiptar… “Një problemet kryesore me të cilat është ndeshur institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë bashkëpunimi jo i duhur nga ana e institucioneve të administratës shtetërore dhe kjo e shprehur në këtë kuptim tek, moskthimi i përgjigjeve ndaj rekomandimeve tona si dhe moszbatimi i rekomandimeve të pranuara nga institucionet shtetërore. P.sh gjatë vitit 2015, rezulton se nga 349 rekomandime të adresuara në total, 68 janë pa përgjigje”, shprehet ai.
Rekomandimeve tona nuk u përgjigjet askush!
Një problemet kryesore me të cilat është ndeshur institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë bashkëpunimi jo i duhur nga ana e institucioneve të administratës shtetërore dhe kjo e shprehur në këtë kuptim tek, moskthimi i përgjigjeve ndaj rekomandimeve tona si dhe moszbatimi i rekomandimeve të pranuara nga institucionet shtetërore. P.sh gjatë vitit 2015, rezulton se nga 349 rekomandime të adresuara në total, 68 janë pa përgjigje.
INTERVISTA
Institucioni juaj ka bërë vërejtje dhe rekomandime të ndryshme sa i përket strukturës pritëse për refugjatët. Sa mendoni se janë ndërgjegjësuar strukturat shtetërore me to?
“Institucioni i Avokatit të Popullit, në kuadër të rolit specifik kushtetues për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, i ka kushtuar dhe po i kushton një rëndësi të veçantë trajtimit të çështjeve që, lidhen me masat e marra për trajtimin e shtetasve shqiptarë, azilkërkues në vende të tjera të Europës, gjatë kthimit në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe riintegrimin e tyre, si dhe të masave të ndërmarra, për azilkërkuesit potencialë nga shtetet e tjera, zona aktuale të luftës, në vendin tonë. Për këtë qëllim është ngritur një grup pune, i cili po analizon planin e masave të parashikuara për përballimin dhe trajtimin e kësaj situate…”.
Mendoni se diçka ka lëvizur nisur nga rekomandimet tuaja të vazhdueshme, instancave përkatëse…
“Aktualisht jemi njohur me planin e masave të kontigjencës të emërtuar përkatësisht ‘Plan përgatitor për një fluks të mundshëm masiv të migrantëve në kufi të Shqipërisë’, i hartuar në muajin shtator 2015, nga një grup pune ndërministror. Në kuadrin e përditësimit të këtij plani, ne po analizojmë përmbajtjen dhe masat që propozohen në të, me qëllim parashtrimin e sugjerimeve dhe rekomandimeve përkatëse për përmirësimin e tij.
Në të njëjtën kohë, bazuar edhe në informacionet zyrtare të dërguara nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse kemi konstatuar se, duke filluar nga 1 Janari 2016, nuk ka një dokument strategjik të miratuar nga ana e Këshillit të Ministrave për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, pasi strategjia e miratuar për këtë qëllim, për periudhën kohore 2010-2015, ka përfunduar afatin e vlefshmërisë së saj. Edhe ky moment do të pasohet së shpejti me nje rekomandim për miratimin e një strategjie të re për këtë qëllim, të përshtatuar me kushtet aktuale dhe koherencën e zhvillimeve te tjera paralele në vend dhe në Europë.
Para pak javësh unë, së bashku me punonjës të institucionit të Avokatit të Popullit, kemi inspektuar zonat ku mendohet se do të mund të vendosen dhe akomodohen flukset e refugjatëve në vendin tonë, përkatësisht në Gjirokastër dhe në Korçë. Konstatimet e bëra do të jenë pjesë e propozimeve, sugjerimeve dhe rekomandimeve për përmirësimin e planit të masave të kontigjencës.
Po punohet ndërkohë për përgatitjen e fletë palosjeve për të drejtat e refugjatëve dhe azil-kërkuesve, në disa gjuhë të huaja, të cilat do t’u vihen në dispozicion personave me statuset përkatëse në kufirin tonë, si dhe brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në qendrat ku ata do të trajtohen.
Vetëm para pak ditësh i është dërguar një rekomandim Kryeministrit z. Rama dhe për dijeni Ministrit të Punëve të Brendshme, për marrjen e masave të menjëhershme dhe të nevojshme për trajtimin në përputhje me instrumentet kombëtare e ndërkombëtare të flukseve ekzistuese dhe atyre të pritshme të migrantëve dhe refugjatëve në Shqipëri”.
Çfarë trajtoni dhe cili është theksi i këtij rekomandimi?
“Në këtë rekomandim theksohet se, çështja e trajtimit të krizës së refugjatëve dhe migrantëve sot në Europë është një çështje e të drejtave të njeriut dhe duhet të përshkojë në mënyrë tërësore politikat shtetërore të vendeve pritëse apo të tranzitit, si dhe të atyre vendeve që kanë shuma gjasa të preken nga kjo krizë e paprecedentë në hapësirën e gjerë të Mesdheut. Kjo krizë migracioni, lidhet me cënimin e rëndë të të drejtave të njeriut në rajone të përfshira nga konfliktet e armatosura dhe të pllakosura nga varfëria, për më tepër në rëndimin e mëtejshëm të tyre, si pasojë e dështimit të vendeve të tranzitit dhe destinacionit, për një përgjigje koherente e të mirëkoordinuar dhe të mbështetur me burimet e nevojshme financiare, humane dhe logjistike.
Në këto kushte është e nevojshme që, Republika e Shqipërisë të marrë masat e nevojshme për pritjen dhe trajtimin e personave në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, që paraqiten në kufij, apo kapen brenda territorit të saj. Trajtimi humanitar i refugjatëve dhe migrantëve është detyrim për çdo vend, po aq sa ç’është edhe njohja e të drejtave që u takojnë atyre nga aktet e sipërpërmendura dhe për këtë kemi rekomanduar konkretisht:
- Shqipëria duhet të mirëpresë me solidaritet dhe humanizëm, çdo qytetar të huaj, që ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të vazhdojë të nxisë nismat rajonale e më gjerë për të mundësuar bashkërendimin e trajtimit dhe të ofrimit të ndihmës në Ballkanin perëndimor. Kriza migratore me të cilën po përballen vendet e rajonit ka rrënjë të thella dhe nevojë për vendimmarrje politike, por edhe për një qasje thellësisht humane nga të gjithë vendimmarrësit e zbatuesit, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. Bashkëpunimi rajonal mes vendeve të ndryshme duhet të nxitet duke parë me interes jo vetëm kuota për çdo vend, por respektimin e statusit të refugjatit, si dhe bashkërendimin në regjistrimin, trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët. Zgjidhja më e mirë e krizës është vetëm zgjidhja e çështjeve në burimin e tyre ndaj edhe qeveria shqiptare duhet ta shohë këtë zgjidhje me përparësi e t’i përkushtojnë asaj të gjitha mjetet e duhura. Çdo politikë sigurie e ndërmarrë në këtë situatë, nuk duhet të shkelë të drejtat e njeriut.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mundësojë së pari, njohjen e këtyre personave para ligjit duke i pajisur ata me dokumentacion bazë të nevojshëm për një sërë procesesh administrative, që lidhen me statusin e tyre në territorin e saj, por që është edhe parakusht për të mundësuar një ndarje funksionale të ndihmës humanitare.
- Qeveria e Republikës së Shqipërisë të shpallë, në përputhje me Ligjin “Për Azilin në Republikës së Shqipërisë”, njohjen e mbrojtjes së përkohshme për shkaqe të fluksit masiv për personat e ardhur nga vendet me një sfond të përbashkët dhe botërisht të njohur persekutimi, që përcakton gjasat që personat të jenë në kushtet e nevojës për mbrojtje ndërkombëtare. Refugjatëve dhe emigrantëve duhet t’u garantohet individualisht aksesi efektiv në procedurat e azilit, pa diskriminim.
- Të sigurohet një ndërveprim shumëplanësh për të kundërvepruar ndaj gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, e cila ka pasoja për situatën e të drejtave të emigrantëve dhe në të njëjtën kohë shkakton edhe erozion të vlerave dhe parimeve themeltare të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqërinë tonë.
- I gjithë procesi duhet të jetë tërësisht transparent dhe me synimin që të sigurohet një bashkëpunim i ngushtë i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë, vecanërisht me shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, për të forcuar garancitë dhe burimet për nevojat e grupeve vulnerabël, pjesë e flukseve migratore, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, LGBT dhe viktimat e torturës.
- Angazhimin për trajtimin e veçantë, sa i takon të miturve të pashoqëruar pjesë e flukseve migratore, për garantimin e të drejtave të tyre themelore, për t’iu përgjigjur nevojave specifike të tyre dhe për të lehtësuar procesin e bashkimit familjar.
- Organet e drejtësisë dhe ato të Policisë së Shtetit, të trajtojnë me kujdes fenomenin e personave që kapen duke u përpjekur të lënë territorin shqiptar me dokumente të falsifikuara, në mënyrë të ndjeshme ndaj nevojave të tyre për mbrojtje ndërkombëtare, duke qenë se këta persona mund të jenë refugjatë. Ky këndvështrim duhet të ketë synim që të përcaktojë pozitën e tyre në kuadrin e flukseve migratore dhe veçimin nga trajtimi si rastet e tjera të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.
- Të përforcohen me bazë materiale dhe me shërbime të përkthimit ekipet që kryejnë proçedurat administrative përkatëse për të huajt e parregullt në kufi, apo në drejtoritë rajonale të kufirit në mënyrë që të sigurohet mundësia që, çdo i huaj që gjendet në mënyrë të parregullt në territorin shqiptar, të kuptojë qartë të drejtat e veta dhe të shprehë qartësisht nëse kërkon azil në Republikën e Shqipërisë. Në një rast të tillë, të sigurohet lidhje e menjëhershme me autoritetet e azilit, të Republikës së Shqipërisë.
- Personat të cilëve u jepet urdhër largimi për t’u ekzekutuar prej tyre në mënyrë vullnetare, t’u lihet në dispozicion afati i përcaktuar nga ligji për këtë qëllim, duke mos u detyruar të largohen drejt territorit prej nga kanë hyrë në mënyrë të parregullt.
- Të mundësohet i plotë, monitorimi dhe vëzhgimi i pavarur i zbatimit të proçedurës së përzgjedhjes, si edhe kushtet e pritjes apo të ndihmesës humanitare në qendrat e tranzitit, nga shoqëria civile, apo nga organizma të ndara nga pushteti ekzekutiv, të tilla si UNHCR, IOM, etj.
- Lehtësimin e aksesit të ankesave të depozituara nga refugjatët dhe emigrantët për institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre nga autoritetet përgjegjëse në vendin tonë, me qëllim sigurimin e një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj këtyre ankesave.
- Karshi sfidës afat-gjatë të integrimit, zhvillimin e politikave të shëndosha të integrimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që u lejojnë diasporave të reja për të qenë pjesë produktive e ekonomisë dhe një vlerë e shtuar për diversitetin e shoqërive që i mirëpresin ato.
- Të ndiqet qasja e moslargimit të njerëzve që vijnë nga vende të pasigurta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në situatën e flukseve migratore”.
Në përgjithësi sa të ndërgjegjshme janë institucionet shqiptare me rekomandimet tuaja? A duket se shpesh ato bien në vesh të shurdhër…
“E kemi theksuar shpesh që një problemet kryesore me të cilat është ndeshur institucioni i Avokatit të Popullit ka qenë bashkëpunimi jo i duhur nga ana e institucioneve të administratës shtetërore dhe kjo e shprehur në këtë kuptim tek, moskthimi i përgjigjeve ndaj rekomandimeve tona si dhe moszbatimi i rekomandimeve të pranuara nga institucionet shtetërore. P.sh gjatë vitit 2015, rezulton se nga 349 rekomandime të adresuara në total, 68 janë pa përgjigje.
Duke pasur parasysh statusin e veçantë kushtetues që ka institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe faktin që rekomandimet e institucionit tonë lidhen me shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga institucionet shtetërore, mosmarrja e masave në rastet e moskthimit të përgjigjeve, apo moszbatimi i rekomandimeve të institucionit tonë, prek ekuilibrat institucional të një shtetit demokratik.
Një bashkëpunim jo i mirë me institucionin e Avokatit të Popullit cenon dhe ul nivelin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të parashikuara si në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë, ashtu edhe nga legjislacioni vendas. Gjithashtu dëmtohet edhe imazhi i vendit në raport me partnerët ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që bashkëpunojnë me vendin tonë, të cilat në raportet e tyre kërkojnë bashkëpunimin me institucionin e Avokatit të Popullit, si dhe rekomandojnë rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Gjithashtu kujtojmë se, në raportet kryesore te BE-së dhe Sh.B.A-së lidhur me Shqipërinë, raportet dhe rekomandimet e institucionit të Avokatit të Popullit kanë shërbyer si pika reference dhe burim i besueshëm të dhënash.[1] dhe [2]
Pavarësisht mosreagimit të organeve të caktuara të administratës publike ndaj rekomandimeve tona, ne kemi qenë aktivë në kuptim të ezaurimit të gjithë mjeteve juridike që na jep Ligi “Për Avokatin e Popullit”, për t’i bërë prezente problematikat që prezantohen në këto rekomandime, në Raportet e Veçanta, apo edhe në Raportet Vjetore, drejtuar Kuvendit.
‘Shurdhëria’ e administratës në këto raste të jeni të bindur që është një gjendje shumë e përkohshme, pasi presioni i ushtruar nga Kuvendi, media si një aleate e pazëvendësueshme e jona, shoqëria civile, faktori ndërkombëtar dhe vet veprimtaria jonë e vazhdueshme ndikon në ndërgjegjësimin e administratës publike”.
Çfarë ndodh nga bashkëpunimi jo i mirë me Avokatin?!
Një bashkëpunim jo i mirë me institucionin e Avokatit të Popullit cenon dhe ul nivelin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të parashikuara si në aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë, ashtu edhe nga legjislacioni vendas. Gjithashtu dëmtohet edhe imazhi i vendit në raport me partnerët ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që bashkëpunojnë me vendin tonë, të cilat në raportet e tyre kërkojnë bashkëpunimin me institucionin e Avokatit të Popullit, si dhe rekomandojnë rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të Avokatit të Popullit.