I ulur në gjunjë duke u ngashëryer, një refugjat i lutet Papa Franceskut ta bekojë. Ka qenë kjo një prej disa skenave të fuqishme emocionuese që u përcollën nga ishulli grek i Lesbosit gjatë vizitës historike të Papa Franceskut, Patriarkut Ekumenik Bartolomeut dhe Kryepeshkopit të Greqise Jeronimos, në një përpjekje simbolike të fuqishme për ndërgjegjësimin global të liderëve politikë dhe opinionit publik mbi krizën e refugjatëve, për ta trajtuar atë me ndjenjë të thellë humanizmi dhe solidariteti dhe jo duke mbyllur kufijtë dhe duke izoluar njerëzit.
Pas pritjes në aeroport nga kryeministri grek Aleksis Tsipras, tre liderët fetarë kanë takuar në pikën e pritjes së emigrantëve, në Moria të Mitilinit, 150 fëmijë të pashoqëruar që kanë mbërritur në ishull nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme kryesisht nga Siria.
Kreu i Kishës Katolike ka dëgjuar problemet e tyre, ka marrë vizatime nga fëmijët dhe u ka fshirë lotët, u ka dhënë zemër të gjithë atyre që kanë kërkuar bekimin e tij duke u thënë se nuk janë të vetëm.
Papa Francesku: Erdhëm këtu për t’i bërë një apel botës për këtë krizë të rëndë humanitare dhe për të kërkuar zgjidhjen e saj. Si njerëz të besimit, në dëshirojmë të bashkojmë zërat tanë dhe të flasim në emrin tuaj.
Kryepeshkopi grek Jeronimos: Nuk ka nevojë për të thënë shumë fjalë, duhet vetëm të shohësh sytë e fëmijëve të vegjël që takuam në kampin e refugjatëve që menjëherë të kuptojmë shkallën e falimentimit të njerëzimit dhe solidaritetit që Europa ka treguar këto vitet e fundit.
Patriarku Ekumenik Bartolomeu: Bota do të gjykohet nga mënyra sesi ju ka trajtuar dhe ne të gjithë do të jemi përgjegjës për mënyrën sesi i përgjigjemi krizës dhe konfliktve ne rajonet prej të cilave ju vini.
Pas nënshkrimit të një deklarateje të përbashkët, nga porti i Mitilinit, ishulli i cili ka pritur thuajse shumicën e refugjatëve dhe emigrantëve gjatë vitit të kaluar, është mbajtur një minutë heshtje dhe tre liderët fetarë kanë kryer një lutje për qindra emigrantë që kanë humbur jetën e tyre në ujërat e Egjeut në përpjekjen për të mbërritur në Europë dhe kanë hedhur edhe 3 kurora me lule në det.
Avioni Papal është larguar nga ishulli me dhjetë pasagjerë më shume, tetë refugjatë sirianë dhe dy afganë, të përzgjedhur me short një ditë më parë nga grupe të ndjeshme sociale, fëmijë që kanë vetëm një prind, nëna me fëmijë, persona me aftësi të kufizuara apo me probleme shëndetësore, një akt tjetër simbolik i humanizmit që mbylli këtë vizitë historike.