Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë për garën e zgjedhjes së drejtuesve të Universiteteve, teksa tha se kandidati për Rektor i UT Mynyr Koni është kërcënuar me jetë. Berisha tha se profesori është kërcënuar se do t’i merret peng djali nëse nuk tërhiqet nga gara. Kërcënime sipas tij ka marrë edhe Rektori aktual Dhori Kule. Sipas Berishës ata janë kërcënuar nga Emiljano Shullazi, me porosi të Edi Ramës.
“Nëse Mynyr Koni ose familjarët e tij përsojnë gjë, akdemiku Dhori Kule ose familjarët e tij pësojnë gjë, në mënyrë absolute të përgjigjet ai personalisht (Edi Rama). Në proporcion absolut me atë që pësojnë. Sepse ky këtë kërkon. Ky bandit, ç’ti thuash këtij. Ata do të kenë mbrojtje të plotë nga qytetarët e Tiranës”, tha Berisha.
Më tej Berisha i ka bërë thirrje akademikëve mos të tërhiqen nga gara, pasi kjo sipas tij tregon përkulje para krimit. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët Berisha i ka bërë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nisë hetimet.
“Së dyti, i bëj thirrje profesor Konit, mos të tërhiqet nga gara. Tërheqja është përkulje para krimit. I bëj thirrje, dhe kam besim në integritetin e profesor Kules që të kalojë këto kërcënime. Në rast se vjen puna që Edi Rama, e zgjidh në këtë mënyrë emërimet në universitet, i bëj thirrje shqiptarëve të ngrihen në mënyrën më të fuqishme kundër këtij banditi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjitshëm të aktivizojë prokurorin e Tiranës, ose në dorë ta marrë Emiljano Shullazi. I bëj thirrje presidentit të përdorë kompetencat që ka për tu informuar ndaj këtij akti të shëmtuar”, tha Berisha.