Rreth 180 kilogramë kokainë dhe 112 kilogramë substanca përzierës janë sekuestruar nga policia italiane.
Sipas medieve italiane, në kuadër të operacionit të koduar “Deti Jon” janë arrestuar edhe 6 persona, të dyshuar si trafikantët e lëndëve narkotike.
Policia vendase ka bërë të ditur se personat e arrestuar dyshohet se janë të gjithë drejtuesit dhe financuesit e një organizate që kishte si qëllim trafikimin ndërkombëtar të drogës.
Gjatë hetimit, policia zbuloi një laborator për prerjen, paketimin dhe ruajtjen e substancave të cilat përdoreshin për përpunimin e drogës.
Grupi hetimor ka dokumentuar edhe një qarkullim të madh të parave, duke sekuestruar edhe 1 milion e 150 mijë euro.
Forcat e ushtrisë kanë kryer kontrolle në banesat e 28 personave të tjerë në Calabria, Lazio, Lombardia, Piemonte dhe Sicili.