Vdekja e pilotëve të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës ka ardhur nga dëmtime fizike në trup dhe nga mbytja në ujë. Floran Deliaj dhe Donald Hoxha mbetën të vdekur pa pasur mundësi që të shpëtonin, për shkak se helikopteri që ata drejtonin ra përmbys, pasi kishte humbur drejtimin mbi liqen. Një lajm i tillë nga burime të Prokurorisë dhe të Policisë së Shkodrës, që thanë se grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë ka nxjerrë konkluzionet paraprake të shkaqeve të vdekjes së dy pilotëve, toger Donald Hoxha dhe kapiten Floran Deliaj.
Sipas këtyre të dhënave, Deliaj, dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimit që ka pësuar në trup. Sipas mjekëve, janë vënë re shembje në organet e brendshme, dëmtime në pjesën e sipërme të kokës, lëndime në qafë si dhe dëmtime të gjymtyrëve. Ndërkaq, piloti tjetër, Donald Hoxha, ka ndërruar jetë nga asfiksia mekanike e shkaktuar nga mbytja në ujë. Sipas konkluzioneve të mjekëve, që kanë kryer kqyrjen e trupave dyshohet se Donald Hoxha, ka mbetur i bllokuar në ndenjësen e tij të pilotit për faktin se nuk ka mundur të shkëpusë rripin e sigurimit që ishte lidhur në pjesën e posaçme fiksuese. Ende nuk dihet nëse Hoxha, nuk ka mundur ta shkëpusë rripin, për faktin se ka qenë në panik, nëse pajisja ka pasur defekt, apo se është dëmtuar pas rrëzimit.
Pyeten krerët e rregjimentit
Rënia e helikopterit ushtarak në liqenin e Shkodrës, ka bërë që prokuroria e Tiranës të marrë në pyetje Komandantin Rregjimentit të Helikopterave në Farkë dhe tre drejtues të tjerë të këtij rregjimenti. Pyetja e kolonel Kuto Hasani, rreshtere Sofije Ramçaj, tetarja Elsa Alku që janë personeli i mbajtjes së shkresave dhe planit të fluturimit e protokolli, si dhe kapiteni Valentin Korbi është bërë në Tiranë, ku ata kanë treguar të gjithë dinamikën e planit stërvitor të helikopterit EC-145.Sipas tyre, pilotët kanë qënë në gjëndje shumë të mirë shëndetësore dhe se nuk kanë pasur luhatje me tensionin apo probleme të tjera me shëndetin.
Madje sipas drejtuesve të rregjimentit dy pilotët që ndëruan jetën gjatë momentit të rrëzimit në ujë, kanë bërë një udhëtim në pjesën jugore të vendit dhe pas një pushimi të drekës, ata janë ngritur sërisht në fluturim për të bërë një patrullim në pjesën veriore të vendit.Sipas dëshmisë së tyre, plani ka qenë i dokumentuar dhe dhe se deri para ndodhjes së tragjedisë, pilotët i janë përmbajtur këtij plani, duke komunikuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me kullën ushtarake të komandimit në Rinas.Njëherësh me dëshminë e tyre, prokuroria e Shkodrës ka administruar në dosje të gjithë dokumentacionin që është mbajtur për këtë fluturim, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Do ripyetet ushtaraku
Gerald Baramuça pritet që në ditët në vijim të rimerret sërisht në pyetje, pasi prokuroria e Shkodrës ka ngritur dyshime se ai nuk është treguar sinqertë në deklarimin e parë, duke mos dhënë asnjë të dhënë se çfarë kishte ndodhur para rrëzimit të helikopterit. Në dëshmin e dhënë vetëm 3 ditë pas rrëzimit të helikopterit, ushatari Baramuça shumë pyetjeve nuk i është përgjigjur duke u mjaftuar me shprehjen nuk mbaj mend.
Nga ana tjetër, me ndihmën e oficerëve të policisë ushtarake të Forcave të Armatosura prokuroria ka marr në pyetje edhe 4 ushtarak të Repartit të Helikopterëve në Farkë.Hetuesit thonë se komunikimi i fundit radiofonik i dy pilotëve me operatorin e kullës së vrojtimit në Farkë ka qenë ora 13:45 minuta dhe vëtëm pak minuta më pas helikopteri është zhdukur nga monitori i operatorit të kullës së vrojtimi në Farkë. Sipas burimeve pranë grupit hetimor,ky është vendi ku helikopteri EC 145 është rrëzuar, i detajuar në hartën që dy pilotët kishin në bord me të cilën ndiqnin edhe koordinatat e fluturimit.
Shqiptarja.com