Në raportin mbi borxhet 2016, ekspertët përmendin 108 vende, ndër to edhe Shqipëria, Serbia e Kroacia, si të rrezikuar nga kriza e borxheve. Në këto vende, gjendja nuk ka përmirësim dhe tendenca e borxheve është në rritje. Ekspertët gjermanë të zhvillimit, të cituar nga DW, tërheqin vëmendjen për zhvillime të reja të rrezikshme lidhur me krizën e borxheve shtetërore në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion. “Ne shohim prej vitesh një përkeqësim dramatik të situatës së borxheve në Hemisferën Jugore në përgjithësi”, deklaroi Jürgen Kaiser nga organizata Erlassjahr.de të mërkurën në Berlin gjatë paraqitjes së raportit të borxheve 2016 të përpiluar bashkërisht me organizatën e ndihmës Misereor. “Nga rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe rritja e papritur e interesave kërcënojnë borxhe të reja si në vitet 1980”, theksoi Kaiser. Sipas të dhënave të Misereor dhe Erlassjahr.de, borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilionë dollarë borxhe. Kjo rritje është pesë herë më shumë se përpara 25 vjetësh. Sipas raportit mbi borxhet, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme. Rreziqet e një përkeqësimi të gjendjes së borxheve në vendet e prekura, sipas ekspertëve, kanë të bëjnë me rënien e ndjeshme të çmimeve për lëndët e para, zhvillimet e paparashikueshme në tregjet e kapitalit dhe një rritje e dobët ekonomike globale. Lëvizjet aktuale të migracionit janë një “dëshmi e dështimit të politikës perëndimore të zhvillimit”, tha koordinatori i Erlassjahr.de. Natyrisht që borxhet nuk janë e vetmja dhe arsyeja e drejtpërdrejtë për arratinë e njerëzve, por megjithatë mungesa e perspektivës ekonomike është një faktor i rëndësishëm, theksoi ai. Erlassjahr.de dhe Misereor i bëjnë thirrje qeverisë gjermane, që krizën që kërcënon ta vendosë në axhendën ndërkombëtare. Të dyja këto organizata me karakter fetar kërkojnë krijimin e një kuadri global ligjor për zgjidhjen e krizës së borxheve, në të cilin të merren parasysh edhe interesat e vendeve në borxhe. “Vendet e pasura deri tani e kanë bllokuar krijimin e një procesi të detyrueshëm dhe korrekt të shlyerjes së borxheve”, deklaroi Kristina Rehbein nga organizata Erlassjahr.de. Eksperti i financave i Misereor, Klaus Schilder, paralajmëron nga pasojat e krizave të borxheve për vendet e prekura. Rritja e borxhit shtetëror është një “pengesë qendrore” për zhvillimin, theksoi ai. “Detyrimet për kthimin e borxhit e rëndojnë shumë buxhetin e shtetit – e nuk mbetet aspak hapësirë për të investuar p.sh. në fushën e shëndetësisë e arsimit.” Në këtë kontekst nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes as përgjegjësia e donatorëve. Raportin për borxhet nuk sheh parimisht si problem borxhet jashtë vendit, por e vendos theksin te raporti mes kapacitetit ekonomik dhe atij financiar të një vendi si dhe te qëndrueshmëria e strategjisë së tij financiare. Sipas mendimit të ekspertëve në këtë drejtim influencojnë në mënyrë problematike zhvillimet e ndryshme aktuale. Ndër të tjera, në një sërë vendesh në zhvillim dhe në ekspansion janë ulur të ardhurat prej shitjes së lëndëve të para për shkak të rënies dramatike të çmimeve. Njëkohësisht interesat e ulëta të obligacioneve shtetërore për vite me radhë në përgjithësi e kanë ulur gatishmërinë për blerjen e tyre. Por së fundi, interesat për bonot e thesarit të këtyre shteteve janë rritur dukshëm në sfondin e shtimit të pasigurisë në tregjet e kapitalit.
Si vjen kriza e borxhit publik?
Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit në Ballkan dhe ekspertët e FMN-së rekomandojnë që vendet në zhvillim të ruajnë një nivel borxhi nën masën 50% të PBB-së. Tregues të lidhur me borxhin janë: rritja ekonomike, norma e interesit mbi borxhin publik, deficiti i buxhetit, kursi i këmbimit valutor, etj. Rritja e nivelit të borxhit publik dhe përkeqësimi i këtyre parametrave mund të alternojë ekuilibrin e financave publike dhe të degjenerojë në atë që quhet: kriza e borxhit publik.
Niveli – Sipas të dhënëve të Ministrisë Financave, borxhi publik më 31 dhjetor 2015 ishte 1 043 100 milionë lekë (72.2% e PBB), ku borxhi jashtëm arriti në 3,575.07 milionë euro
Borxhi – Borxhi publik shqiptar ndahet në tituj të shtetit dhe borxhe afatgjata, me interesa të ulëta, të përfituara nga FMN, Banka Botërore, BERZH, BEI, apo shtete të ndryshëm
Bonot – Titujt e shtetit janë bono thesari (treasury bills), obligacione (bond) dhe eurobonde (obligacione të shprehura në euro). Interesi i bonove dhe afati janë të ndryshueshëm
Kostot – Një pjesë e buxhetit të shtetit përdoret për shlyerjen e kostos së borxhit. Bonot dhe bondet kanë skadencat e afatit (maturity) të tyre që duhen respektuar, sepse ka penalitete
Risku – Më shumë se 50% e titujve të shtetit skadojnë brenda vitit dhe për të rimbursuar blerësit e tyre, qeveria duhet të emetojë tituj të tjerë. Pra ndodh rifinancimi i borxhit me borxh./Shqip