Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka nënshkruar një marrëveshje me drejtorin e FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka në fokus shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Drejtori i FBI-së u angazhua të ndihmojë Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare dhe asistencën për ngritjen e Byrosë së Hetimit.
Me ministrin e Brendshëm bisedoi Drejtori i Informacionit të Top Channel Sokol Balla.
Intervista
Sokol Balla: Zoti Tahiri ju sapo firmosët një marrëveshje me FBI-në, cili është thelbi i saj?
Saimir Tahiri: Më lejoni të jap një konsideratë për vizitën e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Obama sepse shënon një moment kyç dhe themelor në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga njëra anë, dhe gjithashtu një vlerësim maksimal për reformat që kemi ndërmarrë deri më tani dhe gjithçka na mbetet të bëjmë në vijim. Sa i takon marrëveshjes me FBI-në edhe kjo shënon një moment kyç në marrëdhëniet ndërmjet policisë shqiptare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioneve në tërësi dhe punës që do të bëjmë bashkarisht me FBI-në për luftën kundër terrorizimit, luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht luftën kundër korrupsionit. Është hera e parë që nënshkruhet një marrëveshje e tillë që ngushton mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet nesh dhe FBI-së nga njëra anë dhe në anën tjetër na vë në pozitën për të luftuar bashkarisht dhe për të arritur rezultate të përbashkëta. Një oficer i FBI-së do të vijë dhe do të ulet në zyrat tona në mënyrë permanente në mënyrë që të ndihmojë policinë shqiptare me hetimet dhe ndërkohë FBI merr përsipër trajnime dhe forcimin e kapaciteve të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sokol Balla: Kjo në kuadrin e strukturës aktuale të policisë apo ky është një investim edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit nesër?
Saimir Tahiri: Marrëveshja është marrëveshje kuadri që shkon përtej domosdoshmërisë që kemi ne për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit, pra BKH mbetet një prioritet absolut për t’u adresuar bashkë me partnerët dhe FBI-në. Kemi nisur nga puna me trajnimet dhe gjithashtu me skanimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit për Byronë Kombëtare të Hetimit…
Sokol Balla: Pra, është e vërtetë që ka një përzgjedhje paraprake të elementëve të policisë dhe të prokurorisë që do të marrin në këtë strukturë nesër?
Saimir Tahiri: Kemi filluar me procesin e njohjes paraprake të burimeve njerëzore për të vazhduar pastaj me skanimin dhe me procesin e “vetting”-ut që quhet. Njohja e burimeve njerëzore, verifikimi i të kalurës së tyre, i aktivitetit, i kapaciteteve profesionale dhe pastërtisë së figurës, përfshirë edhe makinën e te vërtetës. Por, bashkëpunimi me FBI-në siç është parashikuar edhe në marrëveshje shkon përtej Byrosë Kombëtare të Hetimit për forcimin e kapaciteteve të policisë në tërësi dhe për krijimin e njësive të veçanta që duhet të ndihmojnë në luftën tonë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe veçanërisht terrorizmit. Pra, nuk kufizohemi vetëm tek Byroja Kombëtare e Hetimit, por kemi marrë mbështetjen e FBI-së për të shkuar përtej dhe për të ndihmuar kapacitetet e policisë në tërësi.