Ish kreu i policisë Bashkiake dhe Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor të Tiranës, Florenc Hoxha dënohet nga gjykata me 1 vit e 4 muaj burg. Ky dënim ndaj Hoxhës është dhënë për dy akuzat që rënduan ndaj tij me një vit burg për “Shpërdorim detyre” dhe 4 muaj e konvertuar në shërbim prove për akuzën e “Plagosjes së lehtë” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.
Por si përfundoi i pandehur ish zyrtari i Bashkisë së Tiranës në kohën që drejtonte Lulzim Basha? Hoxha është denoncuar nga një familje në kryeyqtet, pasi këtyre të fundit po i’u grabitej prona në rrugën Reshit Petrela përgjatë vitit 2012 duke u bërë një ndërtim pa leje.
Ndërtimi pa leje përfundoi një karburant i cili dy vite më pas do të prishej nga Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar si një objekt pa leje. Paçka ankesave të familjes në kryeqytet sipas prokurorisë Florenc Hoxha me veprimet e mos veprimet e tij ka lejuar ndërtimin e objektit pa leje edhe pse ligji i jepte të drejtë ta prishte dhe të kallëzonte ndërtuesin abuziv.
Ndërkohë dënimi i dytë me 4 muaj i konvertuar në shërbim prove që rëndon ndaj Hoxhës është ai i përfshirjes në një konflikt në 2 shkurt 2015, ku sipas gjykatës fjalori i përdorur ka cënuar figurën e funksionarit publik që Hoxha mbante prej disa vitesh.
Por a do të arrestohet Hoxha për të vuajtur dënimin?
Aktualisht vendimi për të dy rastet është ankimuar nga ish zyrtari i Bashkisë Florenc Hoxha në gjykatën e Apelit. Deri në një vendim të Apelit i cili është dhe vendim që ka formë të prerë gjithçka do të mbetet pezull dhe Hoxha do të qëndrojë në liri.