Janë disa pika kyç në historinë e një vendi, për të cilat mendohet se dihet shumë, por në të vërtetë ka ende shumë për të zbuluar.
Një nga këto ngjarje është edhe Konferenca PPSHsë e Tiranës, e vitit 1956. Historiania Ana Lalaj, i rikthehet edhe një herë këtij momenti, parë nën dritën e një dokumentacioni të plotësuar nga arkiva shqiptare dhe të huaja, si dhe e çliruar nga çdo lloj paragjykimi.
“Pranvera e rrejshme e ’56ës”, është një nga veprat më të fundit të historianes, e cila e rikthen këtë ngjarje në vëmendje të lexuesit, 60 vjet më pas. Si ndodhi, kush mori pjesë, cilët ishin ata eksponentë të PPSHsë, që guxuan të ngrinin zërin, cilat ishin pasojat. Analiza e historianes bëhet edhe më e prekshme, përmes dokumenteve. Dy prej tyre hedhin dritë mbi gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej Shqipëria asokohe, shkruan Panorama.
HOXHA E PËRJETON SERIOZISHT ATË QË KA NDODHUR, POR NUK DEMONSTRON NERVOZIZËM TË TEPËRT
Procesverbali i bisedës së Sekretarit të Parë të KQ të PPSH, Enver Hoxha, me ambasadorin e BS në Shqipëri, Leonid Krillov
Tiranë, më 16 prill 1956 Nga raportet e Leonid I. Krillov Sekret, Ekz., Nr. 1, 8 maj 1956 Nr. 168 Sot Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Enver Hoxha, që ka mbërritur në Tiranë, më rrëfeu përshtypjet nga konferenca e partisë së qytetit.
Mbrëmë, thotë Hoxha, mua m’u desh tri herë të merrja fjalën. Fillimisht e mora fjalën menjëherë pasi mbërrita dhe u përpoqa të zbusja gjendjen në konferencë dhe të jepja përgjigje të qeta për çështje të ngritura, duke treguar me këtë se konferenca kishte rrëshqitur nga rruga e drejtë. Kjo fjalë e parë e imja nga konferenca u prit përgjithësisht mirë.
Por pas meje e mori fjalën një demagog dhe tha se Enver Hoxha këtu foli shumë drejt, por le të na tregojë përse shtetit i kushton 1 milion lekë trajtimi i çdo anëtari të Komitetit Qendror.
Atëherë unë nuk u përmbajta, tha Enver Hoxha, dhe që nga vendi për këtë shpifje i shpalla luftë këtij demagogu, si rezultat i së cilës ai u detyrua të ikte nga tribuna. Kjo sigurisht që ishte pak e ashpër nga ana ime, por t’u jepje liri këtyre qëndrimeve demagogjike, duke vlerësuar edhe situatën e përgjithshme të konferencës, ishte gjithashtu e palejueshme.
E gjitha kjo shkaktoi thyerjen e njohur në punën e konferencës dhe pas kësaj delegatët nisën me vlerësime të mira kritike, si për punën e organizatave të qytetit, ashtu edhe për punën e atyre të qendrës. Pas kësaj unë, tha Enver Hoxha, e mora fjalën për të tretën herë dhe ngrita çështjen se kujt i interesonte drejtimi që konferenca mori në fillim dhe se kush e ka fajin për këtë. Tani konferenca është duke punuar krejt normalisht dhe ne jemi të bindur për rezultatet e saj të suksesshme. Ne nuk i konsiderojmë këto fakte të rastësishme, tha Enver Hoxha. Me patjetër që njëfarë grupi njerëzish është përgatitur sipas mënyrës së saj për konferencën duke u përpjekur që ta kthejë kundër Komitetit Qendror. Por për këtë as KQ, as Komiteti i partisë i qytetit nuk dinin gjë.
Ky është një mësim i mirë. Në lidhje me këtë, duket shumë antipatike edhe veprimtaria e Byrosë së Komitetit të qytetit dhe e sekretarëve të saj. Udhëheqjen e Komitetit të partisë të qytetit neve na duhet ta rinovojmë plotësisht. Më tej, Enver Hoxha u ndal në disa çështje politike të ngritura në politikë lidhur me kultin e individit dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë. Puna është, tha Enver Hoxha, se pasi mora në Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik tekstin e raportit të fshehtë të Hrushovit, ne nuk mundeshim që përmbajtjen e tij t’ia bënim të ditur popullit dhe prisnim një sinjal nga KQ e Partisë Komuniste të BS, ndërkohë që në Republikën Demokratike Gjermane, në Hungari e Poloni, shokët vepruan sipas mënyrës së tyre dhe gjerësisht ranë dakord me të gjitha çështjet që kanë lidhje me kultin e individit, duke na kaluar në këtë pikë.
Ne gjithashtu e bëmë këtë pas shkrimit të njohur në “Pravda”, siç e bënë edhe shokët kinezë. Prandaj u krijua një mendim te disa punonjës tanët se në diçka po heshtnim për çështjen e kultit të individit, edhe pse të gjithë e dinë se partia jonë që më 1954, sipas shembullit të Partisë Komuniste të BS, e ka bërë punën më të madhe për largimin e kultit të individit në kushtet e Shqipërisë dhe tashmë mund të flitet vetëm për disa reminishenca të kultit të individit. Në konferencë u fol gjithashtu përse ne heshtim për çështjen e Koçi Xoxes dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Por kjo çështje është shumë delikate. Çështja e ndëshkimeve të Koçi Xoxes te ne është shumë e qartë. Për sa i përket lidhjes së tij me Jugosllavinë dhe në përgjithësi të marrëdhënieve tonë me Jugosllavinë, ne kemi në plan ta shtrojmë këtë çështje në kongresin e ardhshëm të tretë të Partisë së Punës së Shqipërisë në raportin e KQ në një mënyrë të tillë: Marrëdhëniet miqësore mes popujve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë u lidhën dhe u forcuan në rrjedhën e luftës së përbashkët çlirimtare. Pas përfundimit të luftës, këto marrëdhënie u forcuan dhe u zhvilluan edhe më shumë.
Bashkë me këtë, nga të dyja palët, u bënë gabime të njohura, që mund të largoheshin me përpjekjen e të dyja palëve. Por kur ne zbuluam veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes, kur pas veprimtarisë kriminale të bandës së Berias u publikuan rezolutat antijugosllave të Komiternit, të gjitha këto fakte në përfaqësimin tonë morën ndriçim të veçantë dhe ne në mënyrë jo të drejtë lidhëm veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes me Jugosllavinë.
Ne mund të themi më tej se tashmë, kur të gjitha janë të qarta, ne nuk kemi asnjë pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shoqërore me Jugosllavinë. Por sipas kësaj teze, tha Enver Hoxha, ne mendojmë që deri në kongres të këshillohemi me KQ të Partisë Komuniste të BS. Enver Hoxha, sipas përshtypjes sime nga biseda, e përjeton seriozisht atë që ka ndodhur në Konferencën e Partisë së Tiranës, por e ndien veten plotësisht të bindur dhe nuk demonstron nervozizëm të tepërt.
Panorama