Me 18 mijë euro buxhet në dispozicion, Qendra Kinematografike e Kosovës edhe një herë do t’ia mësyjë tregut të një prej festivaleve më me fame të filmit në botë, në kërkim të vëmendjes dhe bashkëproducentëve të interesuar për të investuar në filma kosovarë, shkruan Koha Ditore.
Sikurse tradicionalisht, edhe këtë vit, për të pestën herë me radhë, kinematografia e Kosovës në Festivalin e Filmit në Cannes prezantohet nëpërmjet një katalogu.
Në të përfshihen mbi 40 filma që janë në faza të ndryshme të realizimit, duke nisur nga paraproduksioni e deri te projekte tashmë të finalizuara.
Vitin e kaluar Ministria e Kulturës ia kishte refuzuar QKK-së kërkesën prej 2 mijë eurosh për akomodimin e stafit në festivalin që tubon yjet e filmit në rivierën franceze.