Qeveria e Shqipërisë ka miratuar zyrtarisht ndryshimin e marrëveshjes me koncesionin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, atij të Rinasit.
Marrëveshja e nënshkruar më 11 nëntor të vitit 2004, ndryshohet pas më shumë se një dekade, duke i hequr kështu ekskluzivitetin kompanisë gjermane, e cila nuk ka lejuar deri më tani hapjen e aeroporteve të reja dhe vënien në funksionim të Aeroportit të Kukësit, në verilindje të Shqipërisë, shkruan Koha Ditore.
“Në mbështetje të Kushtetutës dhe me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit,Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi për propozimin e projektligjit për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare ‘Tirana Airport Partners’, për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, ratifikuar më 11.11.2004, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë… Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.