“Nuk punoj, thjesht e bëj dentistin për hobby”. Kështu ju është justifikuar agjentëve të komisariatit të Quarto Oggiaro në Milano, një burrë 58 vjeçar që kishte hapur një klinikë dentare pa leje në katin e parë të një pallati në rrugën Capuana 4.
Hetuesit ranë në gjurmët e kësaj klinike fare rastësisht ndërsa ishin duke hetuar për shpërndarës droge në zonë. Ata vunë re lëvizje të dyshimta të të moshuarve që dilnin nga pallati dhe mbanin shtrënguar nofullat me duar.
Të premten e kaluar duke përfituar nga një operacion bastisje, karabinierët hapën bodrumin dhe mësuan mbi ekzistencën e klinikës abuzive dentare, ku drejtues ishte 58 vjeçari Massimo Spagnoli.
Sipas policisë italiane në mure ishin të varura çertifikata në gjuhën shqipe që dëshmonin profesionin e tij, por që duket se ishin fals pasi burri nuk mbante asnjë titull.
Në studio kishte proteza të shpërndara gjithkund, sistemi i kondicionimit merrte ajër nga një kantinë ku kishte grumbuj plehrash.
58 vjeçari ishte kthyer në dentistin e lagjes. Ai ofronte shërbime dhe çmime të leverdishme (një protezë kushtonte 80 euro).
“Disa prej tyre na thanë se shkonin te ky “dentist” prej tre vitesh”, thotë një nga karabinierët. “Një grua e moshuar, e cila mendoi se isha doktor, nga që kështu më thërrisnin kolegët, u afrua dhe më tregoi protezën e saj që kishte shkuar keq, e bindur se isha mjek”, përfundon një nga karabinierët. / NOA