Qeveria shqiptare do të mbështesë financiarisht projekte më fushën e turizmit. Vendimi i miratuar në mbledhjen e qeverisë përcakton afatet dhe kriteret të kërkesë-propozimeve.
Në vendim thuhet konkretisht se, Ministria Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, financon projekte studimi, promovimi dhe edukimi apo modele inovative të produkteve turistike, në funksion të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë.
Ministria përzgjedh projektet në fushën e turizmit, duke vlerësuar ndikimin social, mjedisor dhe ekonomik të tyre. Sipas vendimit të qeverisë, për realizimin e projekteve konkurruese turistike, skema e financimit do të mbulojë deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara nga ministria e ZHETTS-së, bën të ditur ATSh.
Pagesat e përfituara nga fondi buxhetor do të kryhen 30% e vlerës në datën e fillimit të projektit dhe 70% e vlerës në përfundim të projektit, kundrejt faturave që vërtetojnë shpenzimet e kryera për projektin.
Po ashtu përmes një vendimi qeveria përcaktoi edhe anëtarët në Komisionin e Përzgjedhjes së Projekteve në Turizëm. Në përbërje të Komisionit janë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për turizmin, si dhe përfaqësues të shoqatave në sektorin e turizmit. Frederik Seiti, sekretar i përgjithshëm, i MZHETTS-së është emëruar kryetar i Komisionit.