Flotës së aparaturave të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i është shtuar sot edhe një aparat i ri ekografie. Kjo aparaturë është dhuratë nga Alpha Bank në kuadër të programit “Së bashku jemi më të fortë”.
Gjatë fjalës së saj drejtoresha e QSUT Ogerta Manastirliu falenderoi Alpha Bank për kontributin e saj dhe theksoi rëndësinë e shtimit të kësaj pajisjeje të re.
“Falenderojmë Alpha Bank për kontributin në kuadër të programit “Së bashku jemi më të fortë”, e cila ka mundësuar që në QSUT të shtohet një pajisje e re me shumë vlerë në aspektin diagnostik dhe atë të ndjekjes së patologjive tumorale”, theksoi znj. Manastirliu. Më tej gjatë fjalës së saj, znj. Manastirliu u shpreh se “Kjo pajisje përmirëson shërbimin ndaj pacientit. Rreth 70 pacientë do të përfitojnë nga vendosja në punë e kësaj pajisje. Jemi të kenaqur që flotës së aparaturave tashmë të kompletuar në Shërbimin Onkologjik i shtohet dhe kjo pajisje mjekësore dhe padyshim mjekëve i krijojmë kushte pune më të mira, duke përmirësuar standartet për të ofruar shërbim mjekësor cilësor ndaj pacientëve ambulatorë apo të shtruar”.
Ndërsa znj. Erjona Çela, Drejtore e Divizionit të Huadhënies për ekonomitë familjare në Alpha Bank, theksoi se
“Gjatë vitit 2015 banka jonë ka pasur fushatë të gjatë në sensibilizimin për luftën kundër kancerit, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të saj dhe kjo është arsyeja pse sot po dhurojmë një pajisje ekografike për spitalin Onkologjik, e cila do t’u shërbejë rreth 60-70 pacientëve në ditë. Duke shpresuar që do shpëtojë jetë, Alpha Bank angazhohet që do të vazhdojë investimet e veta në të gjitha nismat që kanë në vëmendje përmirësimin e jetës së qytetarëve. Jemi të kënaqur që sot jemi këtu dhe projekti po bëhet realitet,” përfundoi ajo.