Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Çupi shprehet se nuk duhet të ketë entuziazëm te avokatët e Sali Berishës dhe deputetë e liderë të rinj të PD, pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) e nxori nga arresti shtëpiak.
Sipas tij, telashet për ish-kryeministrin sapo kanë filluar. Analisti shprehet se vetëm dosja e ‘Partizanit’ e dënon Sali Berishën me 10 vite burg. Ndërkohë Z.Çupi gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, thotë se dosja tjetër që do i tronditë pozitat e tij është “21 Janari”, me të cilën rrezikon 20 vite burg. Më pas sipas tij, vjen edhe dosja Tropoja. Nga ana tjetër, ai shprehet se për tragjedinë e “Gërdecit”, Berisha mund të bëjë ‘kurban’ Shkëlzenin. Analisti thotë gjithashtu se ish-presidenti Ilir Meta do të qëndrojë gjatë në qeli.
-Zoti Çupi, si e vlerësoni vendimin e Gjykatës së Posaçme GJKKO) për lirimin e Sali Berishës?
Është një vendim, vendim i një “gjykatësi të vetëm” që liron Sali Berishën nga arresti familjar. Thonë se është edhe i drejtë ligjërisht. Edhe sikur gjykatësi të kishte vendosur ta linte Berishën në “arrest familjar”, prapë i ligjshëm do të ishte. Atëherë çfarë ndodh? Vallë, ligji është me defekte? Edhe mundet. Nuk ka në botë ndonjë ligj që të jetë pa defekte. Bëhet pyetja: Cila është pasoja e vendimit që mori gjykatësi? Ky është thelbi i ligjit dhe i drejtësisë: Si i shërbejnë stabilitetit të vendit, jetës së njeriut, të drejtës, antikorrupsionit, antikrimit…
Vendimi që mori gjykatësi i vetëm i GJKKO-së i prek dhe i dëmton të gjitha këto. Ky vendim ka prekur moralin dhe shpresën e shumicës absolute të popullit, ka cenuar rëndë besimin te drejtësia që po ngrihej pak nga pak. Ky vendim i hyn në shpirt popullit shqiptar dhe e helmon. Ky popull e ka paguar shtrenjtë sjelljen kriminale të Sali Berishës dhe familjes. Me këtë vendim gjyqësor duket se janë ndërruar vendet: krimi mban vendin e nderit, ndërsa drejtësia bie poshtë, në këmbët e krimit. Gjithashtu, ky vendim i shërben një ideje të rrezikshme se “në vendin tonë disa janë të pandëshkueshëm përjetë”. Atëherë nuk ka drejtësi, sipas asaj që mësoi populli prej këtij vendimi.
-Ka një entuziazëm tek Sali Berisha dhe mbështetësit e tij pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) e nxori nga arresti shtëpiak. Pra ky vendim po shitet si fitore nga Berisha dhe enturazhi i tij, madje ish-kryeministri e cilëson veten tashmë të pafajshëm dhe të çliruara nga akuzat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK)…
E di që ka entuziazëm. Këta që mbartin entuziazëm i përkasin disa kategorive:
O maskarenj që ia fusin thikën pas shpine idhullit të tyre Berishë
O delenxhinj që Berishës i bëjnë qefin me fytyra me maskë gëzimi duke e ditur që nuk ka vend për gëzim.
O budallenj që vërtet mendojnë se kaq ishte.
Besoj se avokatët e tij dhe deputetë e liderë të rinj të PD hyjnë në grupin e delenxhinjve që venë maska gëzimi, por e dinë se po mashtrojnë dhe nga ana tjetër presin paga të majme për vete. Nuk ka vend për asnjë pikë entuziazmi. Dënimi ligjor i Berishës do të jetë ai që ndodhet në dosjen e tij ose në realitetin e përdhunuar prej tij. GJKKO është bërë gati për të bërë gjyqin, ku Berisha parashikohet më shumë se 10 vjet burgim. Vetëm për Klubin Partizani. Pas kësaj po vjen dosja e ‘21 Janarit’ ku Berisha është i akuzuari kryesor. Kjo është çfarë është, mund të jetë 20 vjet burg. Pas kësaj dosja e ‘Tropojës’ e titulluar ‘Haklaj’, edhe kjo me dhjetëra vite burg. Atëherë ku qenka entuziazmi i Berishës dhe rrethit të tij? Po të besosh teoritë konspirative, del që Berisha u la i lirë nga arresti shtëpiak për arsye se gjatë kësaj kohe do të arrestohet i biri, e bija e ndoshta edhe e shoqja. I bie që Berisha të ngushëllohet duke e lënë të lirë nga arresti shtëpiak.
-Berisha po tregon se ka standard të dyfishtë. Para se të merret vendimin GJKKO, ai e sulmonte drejtësinë e re, ndërkohë që tani ai përshëndet gjyqtaren që e nxori nga izolimi. Si ju duket kjo kthim pllake nga ana e tij?
Po nuk i vihet re tanimë ‘standardi i dyfishtë’ Berishës. Ai i mjerë, që nuk ia di hallin vetes, s’ mund të gjykohet më për dy e tre standarde. Ai mund të bëjë çfarë nuk bën njeri, dhe po e bën. Del në majë të pallatit e ulërin, mbledh ca mbetje njerëzore poshtë ballkonit dhe një ditë mos u çudisni kur tu bëjë pi-pi-në. Gënjen, mashtron, shan, shpif, sulmon, ha turpin me bukë… Ky quhet standard i dyfishtë? Kështu është në fakt. Por Berisha ka bërë të njëjtën gjë edhe kur ka qenë në krye të shtetit. Është njeriu më i pa virtytshëm që ka krijuar perëndia.
-Si mendoni, çfarë ndikimi ka vendimi i GJKKO-së mbi imazhin politik të Sali Berishës dhe partisë së tij?
Imazhi politik i Berishës? Ky imazh është bërë blozë e baltë tashmë. Njerëzit kanë kuptuar se si i mashtroi, si i la pa prona, si i vodhi, si e shkatërroi vendin, si bëri piramidat financiare, si ngrehu luftën mes shqiptarësh dhe krahinash, si e shiti interesin e vendit sa te Millosheviçi edhe të grekët. Më në fund doli lakuriq para botës si njeri që nuk kurseu as fëmijët e tij por i bëri hajdutë dhe kriminalë. Mendo një baba që vuri para si parzmore dhe si jastëk trupat e fëmijëve e të gruas. Tani të gjithë para Drejtësisë. Po çfarë interesi politik të themi? E shikoni, askush nuk ia hedh sytë më, veç ata të korruptuarit dhe budallenjtë e tij.
-Pavarësisht lirimit të tij, Sali Berisha është nën hetim për ngjarjet e “21 Janarit” dhe dosjen e “Gërdecit”. Si e shihni mundësinë që ai të mbahet përgjegjës për këto ngjarje?
Si të mbahet përgjegjës?
Për 21 Janarin:
Në qoftë se je kryeministër dhe i jep urdhër Gardës që të qëllojë mbi trupat e njerëzve që protestojnë në oborr, a nuk je përgjegjës?
Në qoftë se komandanti i Gardës heziton të zbatojë urdhrin, dhe ti si kryeministër e thërret komandantin në zyrë, halabakët e tu e rrahin dhe i nxijnë sytë, a nuk mbahesh përgjegjës? Po nëse ti si kryeministër nuk pranon asnjë urdhër të prokurorisë për të hetuar krimin e vrasjes në oborrin e kryeministrisë, a nuk je përgjegjës? Po nëse del para popullit dhe e quan prokuroren e Republikës ‘një lavire të bulevardit”, me qëllim që ta neutralizosh në detyrë, a nuk mbahesh përgjegjës? Po nëse, ti si kryeministër, luan të gjithë gurët që të ka dhënë posti i lartë për të fshehur dhe manipuluar provat e vrasjes, dhe i manipulon, vallë a mbahesh përgjegjës?
Për Gërdecin:
A e ngrite fabrikën e vdekjes si biznes familjar dhe ia vure në dorë djalit, Shkëlzen? A nuk qenke përgjegjës? Po nëse biznesi i familjes tënde, thuajse i pa ligjshëm totalisht, vret 27 jetë njerëzore, a nuk je ti përgjegjës? Me siguri, Berisha do të përpiqet t’ia lërë në kurriz të birit dhe vetë të dalë me ‘duar të pastra’.
-Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK. Si ju duket ky vendim dhe a mendoni se duhet te japin llogari për aferat që dyshohet se janë përfshirë?
Kur të dalë Iliri nga burgu ku ndodhet, mjekra do t’i jetë bërë dy ose tre metra. Duke dhënë llogari do t’i bëhet kështu, jo duke gjurmuar ‘ujëra të kaltra e male të larta’.
-Ndërkohë izolimi në qeli duket se ka terrorizuar Ilir Metën. Edhe pse mburrej se ishte si Avni Rustemi dhe Mit Sokoli, ish-presidenti u ka bërë thirrje komitave të tij në Partinë e Lirisë të nisin rebelimin ndaj SPAK-ut, pasi sipas tij, ai është i pafajshëm. Keni një koment?
Edhe Haxhi Qamili në vitin 1914 bëri thuajse kështu. Ngriti më këmbë ca krahina në Shqipëri dhe tentoi të fshije vendimin e Ismail Qemalit për Pavarësi. Qëllimi ishte ta kthente Shqipërinë prapë me Otomaninë dhe Islamizmin. Shkoi edhe në Vlorë ku shpalli ‘ qeverinë e tarikatit”. Vetëm dy vjet pas qeverisë se Ismail Qemlit që e kishin njohur fuqitë e Perëndimit. Po kush e mban mend qeverinë e tarikatit? Askush! Edhe Meta e Berisha kërcënojnë se do të përmbysin qeveritë e Perëndimit duke eliminuar SPAK. Edhe këta bëjnë si heronj me qëllim që të manipulojnë disa budallenj. Kot fare.
-Si Ilir Meta, ashtu edhe Sali Berisha vijojnë sulmet ndaj SPAK. Si ju duket kjo strategji e tyre dhe a mendoni se prokurorët dhe gjyqtarët specialë ndihen të kërcënuar?
Ata prokurorë e gjyqtarë që ndihen të kërcënuar nga krimi, dmth., nga Berisha dhe Meta, le të lënë detyrën. Madje as e meritojnë të qëndrojnë në atë detyrë. Ata janë pikërisht për të mbrojtur Republikën dhe vetë individin nga këta fajtorë të mëdhenj të krimit. Ne qytetarët e Shqipërisë nuk do të shtrojmë trëndafila për prokurorët e gjykatësit, por kërkojmë Drejtësinë prej ‘shpatës’ së tyre. E dimë se jemi në një gjendje shumë të vështirë. Të dy ish presidentët na kanë marrë pasurinë publike dhe me këtë pasuri po paguajnë vrasës, gjykatës, prokurorë, deputetë, zjarrvënës, gazetarë… Këtu po ndahemi nga historia e keqe.
Intervistoi: Rigels Seliman