Antoine Griezmann me dy gola por edhe një gabim i rëndë i gjyqtarit Rizzoli ndihmuan Aletico Madrid të eliminonte Barcelonën, kampione në fuqi e Evropës. Francezi shënoi në çdo pjesë loje, në të dytën me penallti. Në minutën e 88-të, një kapje e qartë e topit me dorë brenda zonës nga Gabi, por gjyqtari italian sinjalizoi për goditje të lirë, duke e konsideruar jashtë zone. Në këtë mënyrë, vazhdon pamundësia e ekipit kampion për të ruajtur trofeun.
Në Lisbonë, Benfica ekuilibroi shifrat e përgjithshme në 1-1 kur Jimenes shënoi në minutën e 27-të, por Vidal barazoi pas dhjetë minutash. Muller kaloi në epërsi bavarezët, ndërsa Talisca barazoi çerek ore para mbarimit, por portugezëve në atë moment u duheshin edhe dy gola, çka nuk ia arritën.
Pas ndeshjeve të sotme, gjysmëfinalistët e Champions League janë Real Madrid, Atletico Madrid, Manchester City dhe Bayern.