Nga Ervis Iljazaj
Vendimi i gjykatës për lirimin e Sali Berishës e kthen këtë të fundit në gjendjen ku ishte. Nën hetim nga SPAK dhe detyrim paraqitje. Kështu që nuk kuptohet se çfarë fitoi Berisha kur në gjendje të lirë ishte edhe më parë dhe në arrest shtëpie shkoi pasi refuzoi vendimin e prokurorisë. Megjithatë, është mirë që ky lirim nga arresti në shtëpi e kthen situatën ashtu siç duhet të ishte dhe ashtu siç ishte një vit më parë, ku drejtësia vazhdon hetimet dhe punën e saj dhe zoti Berisha vazhdon aktivitetin e tij politik deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Në këtë kuptim, vendimi për lirimin e Sali Berishës ishtë një vendim që i kënaq të gjithë aktorët në lojë. Kënaq opozitën pa dyshim, por edhe mazhorancën dhe drejtësinë.
Opozitën është e qartë se përse. Tashmë ajo e ka liderin e saj në gjendje të lirë dhe mund të kryejë aktivitetin e tij politik. Madje, disa prej tyre arrijnë deri aty sa thonë që kjo është shenja e fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Kjo mirë është për garën politike në Shqipëri. Tanimë, opozita nuk do të ketë më alibinë e marrjes pjesë në zgjedhje me liderin e saj në arrest shtëpie.
Mazhoranca gjithashtu është e kënaqur me lirimin e zotit Berisha për disa arsye. E para, sepse bien akuzat e kundërshtarit politik se gjykata dhe drejtësia përdoren nga Edi Rama për të sulmuar opozitën. Fakt është se ka disa kohë që gjykatat e ‘’regjimit’’ kanë dhënë vendime në favor të zotit Berisha. Gjykata e Apelit që i dha logon, Gjykata Kushtetutese dhe GJKKO sot me vendimin për lirimin e Berishës.
Edi Rama nga ky vendim del jo si njeri që ka kapur gjykatat, por si një njeri që nën qeverisjen e tij gjykata japin drejtësi, ashtu sikurse deklaroi opozita sot. Arsyeja e dytë, është fakti se nësë Edi Rama fiton zgjedhjet parlamentare të 2025-s, e bën duke mundur një kundërshtar dhe kjo e legjitimon më shumë në mandatin e tij të katërt. Një fitore me liderët e opozitës nën arrest do të ishte një mandat i palegjitimuar dhe vështirë se do të mund të shkonte deri në fund.
Arsyeja e tretë, se përse ky vendim kënaq Edi Ramën dhe mazhorancën, është frika nga precedenti i rrezikshëm për ish kryeministrat.
Në fund, ky vendim kënaq dhe drejtësinë shqiptare, e cila shpesh herë është nën kritika të forta dhe sulme politike se po tregohej e njëanshme. Prandaj edhe vendimi i sotshëm i gjykatës e konsideroi qëndrimin nën arrest shtëpie të zotit Berisha si të ekzagjeruar dhe hoqi nga përgjegjësia e saj një peshë të madhe. Edhe pse nën arrest shtëpie zoti Berisha nuk ishte si pasojë e e drejtësisë por si pasojë e sjelljes së tij me të.
Por më e rëndësishmja në këtë histori është fakti se vendimet e gjykatave në Shqipëri duhet të zbatohen gjithmonë. Kjo është një kulturë e cila duhet të ndryshojë nëse duam vërtetë të krijojmë një kulturë demokratike dhe respektimin e institucioneve. Sepse në shoqëritë e lira ku jetojmë sot, mundësitë e kërkimit të së drejtës janë të fandme. Ka pothuasje pesë shkallë drejtësie ku mund ta kërkosh të drejtën tënde. Ekziston shkalla e parë, e dytë, Gjykata e Lartë, ajo kushtetuese, madje dhe ajo e Strasburgut. Prandaj, nëse ke të drejtë, herët apo vonë e drejta do të triumfojë. Vetëm kështu bëhen betejat juridike. Ato bëhen në gjykatë dhe jo me mjete politike. Vendimet nuk konsiderohen të drejta kur janë pro teje dhe të kapura nga regjimi kur janë kundër teje.