Juristi i njohur, Romeo Kara, ka reaguar dje me forcë ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila liroi ish-kryeministrin Sali Berisha nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”, duke e cilësuar atë si një pabesë të prodhuar nga pazaret politike që përforcojnë sistemin e korruptuar të pushtetit dhe ish-pushtetarëve. Ky vendim, sipas tij, ka entuziazmuar vetëm berishistët dhe pushtetarët që shohin tek pengmarrja e drejtësisë një mundësi për të mbijetuar.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, juristi Kara kritikon ashpër mënyrën se si Berisha po iu serviret shqiptarëve si opozitë e ligjshme, duke i përdorur ata si një mjet për të detyruar qytetarët të mbështesin një politikë të dëmshme dhe të kapur. Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Kara, i cili është një zë i fuqishëm në fushën e drejtësisë, thekson ndër të tjera, se ky është një moment kritik, ku drejtësia dhe pasojat e saj kanë rënë pre e një pazar politik, që siç thekson ai, po pengon progresin dhe ndryshimin e vërtetë në Shqipëri. Kujtojmë se pas 11 muajve arrest brenda 4 mureve të shtëpisë, dje Sali Berisha është lënë i lirë të dalë.
-Zoti Kara, ka një entuziazëm tek Sali Berisha dhe mbështetësit e tij pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) e nxori nga arresti shtëpiak. Pra ky vendim po shitet si fitore nga Berisha dhe enturazhi i tij, madje ish-kryeministri e cilëson veten tashmë të pafajshëm dhe të çliruara nga akuzat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Keni një koment dhe si procedohet tani nga ana juridike?
Së pari, ky vendim i pabesë, produkt i pazarit politik, duke i dhënë oksigjen të gjithë politikës së korruptuar pushtetarë dhe ish-pushtetarë, nuk ka entuziazmuar vetëm berishistët, si falanga më e zezë e krimit të veshur me pushtet, por edhe pushtetarët që kanë të njëjtin hall me të, që shohin tek pengmarrja e drejtësisë mbijetesën e tyre dhe tek fundi i Sali Berishës fundin e tyre. Berisha tashmë po iu serviret shqiptarëve si opozitë e ligjshme, por edhe si gogol, i cili do të detyrojë shqiptarët të votojnë përsëri këtë satukuo politike.
Pra, kemi të bëjmë me një pabesi nga brenda Pallatit të Drejtësisë, pabesi e cila në njërin krah zgjoi një zhgënjim popullor dhe cenoi trendin e mirë të drejtësisë së re, dhe në krahun tjetër i dha disa kredi të pamëruara strumbullarëve të korrupsionit dhe çdo të keqeje në Shqipëri. Juridikisht, ky vendim tashmë u konfirmua dhe do të apelohet nga SPAK-u, dhe shumë shpejt do të gjykohet në Apelin e GJKKO-së.
-Berisha po tregon se ka standard të dyfishtë. Para se të merret vendimin GJKKO, ai e sulmonte drejtësinë e re, ndërkohë që sot ai përshëndeti gjyqtaren që e nxori nga izolimi. Si ju duket kjo kthim pllake nga ana e tij?
Padyshim që Sali Berisha është njeriu i standardeve të shumëfishta, mjafton që ato t’i përshtaten situatave momentale të tij. Ishte komunist kur i leverdiste dhe demokrat gjithashtu kur pa mundësinë e kapjes së pushtetit. Berisha nuk ka as skrupuj, as etikë, as parime dhe mbi të gjitha turp dhe përgjegjësi. Kemi një vit që dëgjojmë retorikën se kjo drejtësi është e kapur nga Rama dhe ia faturonte atij gjendjen e tij të arrestit në shtëpi, ndërsa sot revokimin e saj paturpësisht nuk ia faturon atij.
Berisha tradicionalisht të etiketon sipas interesit të tij. Kështu ka vepruar me Bashën, kur e lavdëroi publikisht deri në qiell para zgjedhjeve të vitit 2021 dhe vetëm pak muaj më pas, pasi u shpall ‘non-grata’, nuk la shpifje pa nxjerrë në drejtim të tij. E njëjta gjë edhe me gjyqtarët dhe prokurorët: ata që përballeshin me Berishën janë denigruar në publik, ndërsa ata që i shërbenin atij, lëvdoheshin pa u menduar dy herë prej tij. Ky është Berisha, kjo është drejtësia jonë për momentin dhe ky është pazari politik që po mban akoma peng drejtësinë dhe me të këtë vend dhe këtë popull.
Intervistoi: Rigels Seliman