Komisioni i Ekonomisë i ka dhënë përfundimisht dritën jeshile projektbuxhetit të vitit 2025 me vlerë totale 8.2 miliardë euro.
Me votat e mazhorancës, Komisioni miratoi sot (27 Nëntor) projektbuxhetin, i cili tashmë do të kalojë për miratimin final në seancën plenare të 3 Dhjetorit.
Në diskutimin e fundit të tij, u rritën me 2.3 miliardë lekë shpenzimet për institucionet, ku pjesën më të madhe të shtesës e marrin institucionet e drejtësisë, ndjekur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Institucionet e drejtësisë do të marrin 787 milionë lekë më shumë se planifikimet fillestare, ndërsa KQZ do të ketë 690 milionë lekë shtesë për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
“Në Këshillin e Lartë Gjyqësor shtohen shpenzimet me 500 milionë lekë. Në SPAK shtohen shpenzimet me 200 milionë lekë, nga të cilat 100 milionë lekë shpenzime personeli, dhe 100 milionë lekë për godinën e re. KQZ-së i shtohen shpenzimet kapitale 134 mln për ruajtjen e pamjeve filmike, 56 mln lekë për funksionimin institucionit për zgjedhjet dhe 500 mln lekë shtesë fond për zgjedhje”, u shpreh relatorja e projektbuxhetit Antoneta Dhima.
Rritje buxheti ka pasur për 21 institucione në total, ku Kuvendit ju shtuan 160 milionë lekë, RTSH-së 100 milionë shtesë, SHISH-it +50 milionë apo Drejtorisë së Arkivave +30 milionë më shumë se buxheti fillestar.
“Burimi për rritjen e këtyre shpenzimeve të përgjithshme, do të jetë rritja e të ardhurave po në të njëjtën vlerë”, tha Dhima.
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm planifikon shpenzime mbi 8.2 miliardë euro dhe të ardhurat të arrijnë 7.5 miliardë euro. Po ashtu qeveria ka projektuar vijim të rënies së borxhit publik, edhe pse pritet të emetohet një eurobond në fillim të vitit 2025 në vlerën 650 milionë euro. Ndërsa rritja ekonomike për vitin që po vjen projektohet në 3.9%.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton përfundimisht nen për nen Buxhetin e vitit 2025.
Bien në sy shtesat për institucionet e reja të Drejtësisë në bllok, si SPAK, KLHJ, GJKKO, KLP, KPA, Komisioneri Publik, Kushtetuesja, Magjistratura, ILD, por edhe Kuvendi, SHISH dhe pjesa e luanit për KQZ, për shkak të zgjedhjeve të reja. Gjithashtu Fondi Rezervë merr një pjesë të mirë të parave, por edhe KLSH, RTSH, INSTAT dhe të tjera.
Parlamenti kaloi në parim më 19 Nëntor projektbuxhetin e vitit 2025 pas dy ditësh debatesh, me vlerë 8,2 mld lekë.
SHTESAT E BUXHETIT PËR VITIN 2025 PËR INSTITUCIONET:
-Kuvendi 160 mln lekë
-SHISH 50 mln lekë
-RTSH 100 mln për diasporën, filmin etj
-ATSH 6 mln për ruajtjen
-Qendra Kombëtare e Kinematografisë 1 punonjës dhe 1 mln lekë
-Arkiva 30 mln
-KLSH 10 mln lekë
-INSTAT 6 punonjës, 60 mln lekë shpenzime
-Magjistratura, 1 punonjës, 6.1 mln lekë
-KLGJ 500 mln leke
-ILD 27.5 mln lekë
-SPAK 200 mln lekë
-KPP 8.8 mln lekë
-Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi 1 mln
-Komisioneri i Informimi 8 mln lekë
-AIDSSH 8 mln lekë
-KQZ 134 mln për ruajtjen e pamjeve filmike, 56 mln lekë për funksionimin institucionit për zgjedhjet, 500 mln lekë shtesë fond për zgjedhje
-Shtohen shpenzimet për fondin rezervë të shtetit 500 mln lekë
-Gjykata Kushtetuese, 5 punonjës 12 mln lekë
-KPK dhe Komisioneri Publik, 32 punonjës për gjashtë muaj, 48.1 mln lekë për finalizimin e përmbylljen
-Shërbimet qeveritare 100 mln lekë për të reflektuar rritjen e pagave
-Fondi Rezervë 300 mln lekë për efektet e rritjes së pagave