Ditën e sotme protesta e grave punonjëse të një fasonerie në Vlorë është zhvendosur te Inspektoriati i Punës.
Gratë protestuese kërkojnë të drejtat e tyre të mohuara, pagesën e siguracioneve dhe trajtimin me kushte njerëzore në ambientet e punës.
Ato gjatë një interviste për mediat kanë deklaruar se kanë rreth 8 ose 9 muaj pa siguracione dhe kanë shtuar se në ambientet e punës ofendohen dhe kërcënohen që të mos ngrenë zërin për kërkesat e tyre.
“Unë rrugën e tij e di për në Nartë, por kam ardhur këtu sepse kam shtëpi dhe familje afër. Kam që në shkurt pa sigurime shoqërore. Raportet nuk na i kanë paguar. Kemi muajin e gushtit asnjë ditë leje. Na thonë do e bëjmë ne deri në 2025. Po ja vdiqëm ne”, tha njëra prej grave protestuese.
“Nëse ne nuk firmosim, na kanë thënë se do na gjobisin. Ne duam të gjitha të drejtat që ne na takojnë. Kam 9 muaj që kam ardhur këtu dhe vetëm një muaj kam siguracione. 8 muaj i kam pa siguracione. Është mbushur kupa”, tha një tjetër protestuese.
Po ashtu bëhet me dije për A2 CNN se protesta te Inspektoriati i Punës po shoqërohet me tensione, ku ka ndërhyrë edhe Policia.
/a.r