Linjat e autobusëve brenda qytetit të Tiranës do të ndryshojnë, për shkak të projektit për sheshin “Skënderbej”, në dy faza.
Me nisjen e punimeve në muajin qershor të këtij viti, Bashkia e Tiranës do të publikojë një hartë të re të linjave urbane, e gjithashtu edhe të stacioneve të çdo linje, për t’u përshtatur gjatë periudhës së punimeve në qendër të kryeqyetit.
Me përfundimin e projektit për sheshin, zyrtarët në bashki thonë se do të bëhet edhe rifreskimi i të gjitha linjave dhe stacioneve, për shkak të zgjerimit të hartës së Tiranës.
“Do të krijojmë një rrjet të ri linjash, duke zgjatur e ndërthurur linjat ekzistuese. Rrjeti i qytetit do të zgjatet për t’i shërbyer ndarjes së re administrative dhe do të ndërtohet me rrjetin e linjave të ish-komunave. Po ashtu do të ketë edhe një ndërthurje në terminale respektive në transportin ndërqytetas”, tha Enton Bonavia, drejtor për Trafikun dhe Lëvizshmërinë në Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë të mërkurën nisi procesi i dëgjeses me banorë të Njësisë numër 10 për projektin e sheshit, i cili do të jetë i përdorshëm edhe përpara se të përfundojë plotësisht. Në perimetrin e tij do të krijohen 11 parqe, me rreth 35 mijë pemë që do të rrethojnë sheshin. Zyrtarët e institucionit thanë se, për të evituar temperaturat e nxehta në ditët e verës, brenda hapësirës së ngurtë do të instalohen 110 shatërvanë në formën e burimeve ujore.
/ Top Channel