Gianni De Biasi, trajneri aktual i kuqezinjve, është i gatshëm ta pasojë Antonio Conten te Italia. Strategi italian në një intervistë për Quotidiano Sportivo, ka konfirmuar se pret një telefonatë të mundshme nga kreu i Federatës së Italisë, Carlo Tavecchio
“Të qenurit trajner i Kombëtares së Italisë përbën një eksperiencë shumë tërheqëse, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete. Ndihem gati për këtë aventurë”, ka deklaruar ai, shkruan SuperSport.
”Kontrata ime me Federatën Shqiptare përfundon në vitin 2017, por kam edhe një marrëveshje me presidentin, që në rast të një oferte shumë të rëndësishme për karrierën time, ai do të më linte të largohesha”, ka theksuar De Biasi.
Fjalët e De Biasit erdhën pak ditë pasi Marcello Lippi e cilësoi trajnerin italo-shqiptar si alternativën më logjike për stolin e Italisë.
Ndërkohë, sipas mediave, 59-vjeçari do të emërohej në krye të përfaqësueses së kaltër, në rast se Fabio Capello nuk do ta marrë detyrën.