“Kemi diskutuar për reformën në drejtësi duke bashkënënvizuar me kolegët gjermanë, rëndësinë që ka kjo reformë për bizneset gjermane të cilat duan të investojnë në Shqipëri por duan që të kenë sigurinë juridike si një gjë të domosdoshme. Thënë gjithë këto, kemi gjetur një mbështetje të sinqertë nga ana e parlamentarëve gjermanë përsa i përket procesit të integrimit” thotë Taulant Balla që kryeson një delegacion parlamentar shqiptar që po zhvillon takime në Bundestag. Në delegacion bënin pjesë gjithashtu deputetët Majlinda Bregu, Kejdi Mehmetaj, Paulin Sterkaj dhe Gerti Bogdani.
Është e rëndësishme që të kuptohet se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të vazhdojë me hapjen e negociatave. Fakti që Komisioni Europian ka vendosur si parakusht miratimin në Parlamentin e Shqipërisë të paketës së reformës në drejtësi dhe me këtë ka lidhur rekomandimin për hapjen e negociatave tregon se, pasi Komisioni i reformës në drejtësi të ketë përmbyllur gjithë materialin që do t’i paraqitet Kuvendit, duhet votuar para verës.
Pra, para se në vjeshtë Komisioni Europian të bëjë rekomandimin për hapjen e negociatave. Gjithashtu një tjetër gjë e rëndësishme që u diskutua në gjithë këto takime ishte intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike. Janë të shumta bizneset gjermane që po e shikojnë Shqipërinë si një destinacion për të investuar jo vetëm në fushën e turizmit por edhe në fusha të tjera shumë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Kështu që unë shpresoj që këto vizita i shërbejnë pikërisht këtij intensifikimi që duhet transformuar në vepra konkrete sa i përket kompanive të rëndësishme gjermane që duhen afruar në Shqipëri”- deklaroi Balla në përfundim të takimeve.