Rozana Radi ka dalë në mbrojtje të Eneda Tarifës pas intervistës në anglisht me televizionin holandez. “Eneda Tarifa në litar! Këtu në vendin tonë vërtet çuditesh me të gjithë dhe gjithçka! Sapo hap sytë përballesh me një mori shkrimesh dashakeqe. Linqe me tituj të tmerrshëm për artiste! Po e mënjanoj pak epideminë e “shtatzënisë” sime dhe të këtij gripi që na la “shtatzënë” për të diskutuar një tjetër çështje që të them të drejtën më bën të mendoj sa njerëz të këqij jemi. Eneda Tarifa, fituese e këtij edicioni festivali na përfaqëson me këngën “Përrallë” në “Eurovizion”.
Eneda është një këngëtare që, doni apo s’doni ju, i ka dhënë shumë këngë të bukura fonotekës të muzikës sonë shqiptare”, ka shkruar Radi në Facebook.
“Eneda është po e njëjta, ajo që kudo që shkojmë dhe luhet muzikë shqip të gjithë ne këndojmë këngët e Enedës. Është po e njëjta Enedë që mbush një nga klubet e kryeqytetit ku unë dhe ti që shkruajmë kalojmë fundjavat tona. Ndaj lind pyetja! Pse sot të gjithë nuk e duan Enedën?
Pse çdo ditë qarkullojnë lajme të tipit “Eneda Tarifa lë nam në intervistën e radhës”, “Eneda turpëron shqiptarët.” Eneda kështu, Eneda ashtu… Kënga fituese e festivalit është përzgjedhur nga një juri, e cila si rrallë ndonjëherë kanë qenë të gjithë dakord që çmimi i parë t’i shkonte Enedës”, shkruan më tej këngëtarja, duke thënë se, Eneda ka këngë më të bukura se kënga me të cilën do të na përfaqësojë në “Eurosong”. “Nuk mund të thoni që kënga është e keqe, aq me keq akoma të drejtosh gishtin drejt një artisteje që na përfaqëson ne, të përfaqëson ty.
Po edhe Eneda është aty, do këndoj aty dhe do na përfaqësojë ne me flamurin tonë. Ju që villni për Enedën jeni po ju që vollët edhe për Elhaida Danin, të cilën e ngritët lart deri ditën që patë renditjen e saj në këtë kompeticion dhe menjëherë të nesërmen e lëshuat, dhe e goditët me titujt të tmerrshëm (dhe këtë e bëni me të gjithë këngëtarët që nuk hyjnë në 10-she). Jeni po ju ata që nesër do ta ngrini në qiell nëse kjo vajzë do renditet mirë në këtë garë. Të gjithë në këtë vend ndihemi si Eneda. Asnjëherë nuk e dimë kur do na e bëni pis figurën. Dhe këtë e bëni për të ngritur emrin tuaj. Unë dua të lexoj artikuj kurajozë për vajzën. Jepini zemër, mbështetje, besim lëreni ta shijoje këtë “Përrallë””, thekson Rozana Radi.
Ajo u bën thirrje të gjithëve që të jenë në anën e Enedës dhe ta mbështesin këngëtaren, duke lënë mënjanë kritikat. “Kur ka kritika që vijnë vërtet nga kritikë arti atëherë kemi dhe çfarë të lexojmë. Mendoj që Eneda ashtu si unë dhe disa të tjerë si puna ime e di që edhe thëniet në këtë vend i kemi makabre. Populli ynë mendje ndritur thotë: “Kush të rreh, të do”. Kësaj radhe tabela je ti Eneda, nëse nuk qëndron e fortë duhet të kalosh te një thënie tjetër që duhet ta shpikim vetë bazuar në logjiken e këtyre njerëzve.
“Ndaj, nga dashuria për ata që të shkelen mund edhe të vdesësh.” Atëherë ty do të shpallin artistë të popullit. Jetojmë në kohën e llafazanëve dhe të dardhave që bishtin nuk e kanë as para, as mbrapa, por në gojë. Jetoje “Përrallën” tënde e mos u merr me përrallat me mbret të shqiptarëve.”, përfundon shkrimin e saj këngëtarja Radi, shkrim të cilin ia drejton Eneda Tarifës, fansave të saj, por edhe të gjithë shqiptarëve, që duhet të mbështesin Tarifën në këtë rrugëtim të përbashkët.