Kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj bëri të ditur se ditën e premte është thirrur komisioni për të vijuar punën atje ku është lënë.
Në një deklaratë për mediat, Xhafaj tha se shpreson që opozita të marrë pjesë në komision dhe të vendosë interesat e shqiptarëve përpara interesave politike.
“Reforma është në hapat e fundit dhe kërkon një përgjigje në përputhje me interesat e qytetarëve. Ditën e premte në orën 10:00 do të mblidhet komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi për të filluar punën aty u e ka lënë. Para interesave të politikës së ditës, prevalon interesi që kanë qytetarët dhe e ardhmja evropiane e vendit. Shpresoj që opozita do të jetë aty. Nëse nuk ndodh do të flasim të premten”, deklaroi Xhafaj.
Sipas Xhafajt, “Sot shqiptarët në shumicën dërrmuese të tyre e konsiderojnë reforëm në drejtësi si imperative, si një gjë jetike për fatet e tyre dhe fatet e vendit. Ajo që është shumë e rëndësishme për ne është fakti që shqiptarët kanë kuptuar dhe e ndjejnë nevojën që ka sot reformimi i sistemit të drejtësisë”, u shpreh Xhafaj.