Është paraqitur sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese propozimi i LSI për disa shtesa në ligjin e ndryshuar të koncesioneve dhe partneriteteve publike private. Një nga propozimet lidhet me faktin që kontratat koncesionare më të gjata se 4 vjet të miratohen nga Kuvendi. Kjo pasi afatet më të gjata se katër vite për kontratat koncesionare i kalojnë mandatet politike të maxhorancave, thuhet në relacion.
Deputeti i LSI Petrit Vasili ishte relatori dhe deputeti nismëtar për këto ndryshime, nisur edhe nga ngjarjet e fundit të dokumentave të Panamasë.
Ai shtoi se duhet studim fisibiliteti për format e koncesioneve që duhen përdorur, që duhet të bëhen nga Ministria e Ekonomisë, ajo e Financave dhe Avokatura e Shtetit. “Përpara se të vazhdohet me procedurën e koncesionit është shumë e domosdoshme vlerësimi i projektit dhe dhe mundësia nëse ky projekt mund të realizohet me një procedurë prokurimi standard”, thuhet në relacion.
“Institucionet financiare ndërkombëtare janë të shqetësuara për problematikën e koncesioneve”, tha Vasili.
Ai tha se ka 8 javë që këto ndryshime janë sjellë për diskutim në Kuvend dhe është e habitshme vonesa, duke shtuar se ndryshimet janë sjellë që përpara se të publikohej skandali i Panama Papers.
Deputetët pohuan se duhet të shmanget absurdi që çdo kontratë koncesionare të kalojë në Kuvend, dhe propozuan që të vihen limite në vlerën e kontratave që kalojnë nga Kuvendi.
Deputeti i LSI tha se mund të shtohet edhe opsioni që kompanitë koncesionare të mos jenë offshore, ndërsa mbeten të hapur për shtesa dhe ndryshime.