Çdo orë që kalon do të sjellë intensifikim të reshjeve, ku në veri ato do të arrijnë në 100-120 mm, ndërsa në jug do të ketë rrebeshe afatshkurtra. Paralajmërimi u dha nga meteorologia e A2 CNN Tanja Porja në Dita Jonë, sipas të cilës në zonat malore do të ketë reshje bore.
“Dita e sotme do të ketë reshje me intensitet, ndërsa çdo orë që kalon reshjet do të intensifikohen kryesisht në veri e verilindje. Në zonat qendrore herë pas here rrebeshe. Në jug priten rrebeshe afatshkurtra. Veriu do të ketë reshje intensive gjatë gjithë ditës rreth 100-120mm reshje ku për shumë zona është sasia mujore e reshjeve. Deri në mesnatë reshjet do të jenë me intensitet të lartë. Rrebeshe më të rralla në jug. Në zonat e thella malore ka reshje dëbore. Zonat qendrore 60 mm shi dhe në zonat jugore deri në 40 mm shi”.
Meteorologia theksoi se pas mesnatës do të kthjellohet moti dhe termometri zbret në vlera të ulëta.
“Pas mesnatës do të kthjellohet moti dhe termometri zbret në vlera të ulëta. Termometri në nivele të larta edhe sot, ndërsa nga nesër e në vijim ditët janë të gjitha ditë dimri nga pikëpamja e temperaturave”.
Po kështu edhe era sipas Porjas do të forcohet dhe do të arrijë shpejtësinë 70-80 km në orë
“Është çështje 3-4 orësh që era të forcohet. Era do të jetë e fortë me shpejtësi 70-80 km në orë”.
Sipas saj fundjava do të jetë e ftohtë, me diell pa reshje deri në fund të muajit nëntor.
Sa i përket rajonit, Porja theksoi se do të ketë reshje me intensitet të lartë dhe rrezik për përmbytje në rajon.
/a.r