Pas ngjarjes makabre të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, qeveria do të hedhë në diskutim dy propozime, atë të mbylljes së dy rrjeteve sociale që përdorin më shumë adoleshentët, Tik Tok dhe Snap Chat, apo përdorimin e tyre me filtra.
Për debatin e fundit mbi ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë, sociologu Gëzim Tushi ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në “Vizion Plus” me Roland Zilin.
Z.Tushi u shpreh se në epokën që ne jetojmë është disi e pamundur mbyllja e rrjeteve sociale. Sociologu tha se problemi qëndron tek mënyra se si ne e përdorim teknologjinë.
Intervista e plotë:
Së pari, ju jeni pro apo kundër mbylljes së Tik Tok dhe SnapChat dhe pse?
Tushi: Nuk është kaq e thjeshtë të reagosh me po ose jo. Në shoqërinë e sotshme, në këtë shoqëri globale, universale është jo e mundur që të jetë e sukseshme një masë e tillë, një masë drastike që ka të bëjë me mbylljen. Jetojmë në epokën që nuk mund të fiket interneti. Rrjetete sociale po bëhen një karburant që po i hedhin benzinë krimit, çka na detyron të shkojmë në masa të tilla, në mbyllje. Le të bëjmë një eksperiment me mbylljen. Lënda toksike që rrjedh në rrjetet sociale është vërtet helmuese. Adoleshentët i fillojnë konfliktet virtuale, duke i kthyer në reale. Marrja e masës për këto rrjetet që kanë pasoja negative, qeveria është treguar racionale, nuk është se po shkel të drejtat. Marrja e një mase të tillë është një provë që e tregon më pas rezultatin e saj.
Çfarë duhet të bëjnë prindërit dhe mësuesit për të amortizuar problemet që vijnë nga bota online?
Tushi: Ne kemi një raport të shthurur të fëmijëve tanë me rrjetet sociale, me celularin. Disa prej tyre e përdorin për t’i vënë fëmijët në qetësi. Psikologët kanë thënë se për 0-3 vjeç mos ta prekin fare celularin, 3-6 vjeç për gjëra shumë të thjeshta dhe vetëm në kontrollin e prindërve. Mbi 6 vjeç deri në 20 minuta, pastaj në moshën 12 vjeç, kur bëhen adoleshtë pak më shumë. Ne nuk i respektojmë këto fasha orari. Po të shkoni në lokale do shihni edhe fëmijë të moshës 2 vjeç, 3 vjeç, 4 vjeç të gjithë me celuar në dorë duke parë gjithçka. Shoqëria ka nevojë të rregullojë raportet me teknologjinë. Nuk e ka fajin teknologjia. Teknologjia nuk të vret, por është mënyra se si ne e përdorim atë, për çfarë funksionesh.