Gjeneratat e sotme janë të parat që po zhyten plotësisht në teknologjinë digjitale, por me çfarë kostoje?, shkruan gazeta italiane ilfattoquotidiano.it duke bërë një analizë të pasojat që kjo teknologji aggressive po sjell tek adoleshentët e botës.
Kjo pyetje gjithnjë e më urgjente ka shtyrë një grup dypartiak prej 14 avokatësh të përgjithshëm nga disa shtete amerikane të ngrenë një padi kundër TikTok duke akuzuar platformën se i ka bërë të rinjtë “të varur” nga përmbajtja e saj, duke dëmtuar rëndë shëndetin e tyre mendor.
Sipas ekspertëve nuk diskutohet siguria kombëtare apo mbledhja e supozuar e paligjshme e të dhënave, por mirëqenia mendore e përdoruesve të rinj.
Akuzat e ekspertëve drejtojnë gishtin drejt mekanizmit të aplikacionit, i krijuar për të bllokuar mendërisht të rinjtë me njoftime të vazhdueshme dhe përmbajtje virale që shpesh përfshin sfida të rrezikshme.
Një përzierje që, sipas ekspertëve ligjorë, i bën fëmijët të humbasin ndjenjën e kohës, duke kompromentuar gjumin dhe duke nxitur çrregullime psikologjike.
“Është si një lloj nikotine digjitale”, tha Brian Schwalb, prokurori i përgjithshëm i Uashingtonit, duke shpjeguar se si TikTok krijon varësi tek përdoruesit e rinj.
“Nëse TikTok do të donte ta bënte produktin e tij të sigurt, mund ta kishte bërë këtë”, shtoi ai, duke nënvizuar se platforma do të kishte zgjedhur qëllimisht të mos ndërhynte për të rritur fitimet e saj, në kurriz të shëndetit mendor të përdoruesve të saj më të cenueshëm.
Mekanizmi i “rrëshqitjes kompulsive”, një nga elementët më të kritikuar, akuzohet se është krijuar posaçërisht për t’i shtyrë fëmijët të kalojnë më shumë kohë në aplikacion, duke ndikuar në shëndetin e tyre emocional dhe psikologjik.
Bob Bonta, prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, deklaroi se ”shumë fëmijë janë bërë të varur duke sjellë shumë dëmtime mendore dhe fizike”.
Edhe Bashkimi Evropian ka nisur një hetim mbi aplikacionin TikTok dhe kërcënoi të pezullojë aplikacionin mes shqetësimeve për sigurinë e fëmijëve.
ATSH /a.r